Arbëri

Opozita kërkon seancë të jashtëzakonshme për “dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme të Kosovës”

Foto: Koha / Arkiv

LDK-ja dhe VV-ja përmes grupeve parlamentare kanë dorëzuar sot kërkesën për thirrje të seancës së jashtëzakonshme me pikën në rend dite “Debat parlamentar lidhur me dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës”.

Sipas njoftimit nga Grupi Parlamentar i LDK-së, kjo kërkesë ka ardhur pasi, sipas kësaj partie, politika e jashtme e Kosovës është e çakorduar me skandalet e fundit që kanë dëmtuar imazhin e Kosovës.

“Duke qenë se politika e jashtme e Kosovës është tërësisht e çakorduar me skandalet e fundit në politikën e jashtme të cilat kanë dëmtuar jashtëzakonisht imazhin e Kosovës në botë, dhe duke pasur parasysh mos funksionimin normal të Kuvendit të Kosovës, Grupi Parlamentar i LDK-së dhe i LVV-së kanë dorëzuar sot kërkesën me të cilën kërkojnë thirrjen e seancës së jashtëzakonshme me këtë pikë në rend të ditës: ‘Debat parlamentar lidhur me dështimet dhe skandalet në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës’”, thuhet në njoftim.

Në arsyetimin e kësaj kërkese thuhet se prioritetet e politikës së jashtme, në vend se të jenë afatgjatë, po ndryshohen në baza ditore, duke krijuar kështu konfuzion dhe situata të papëlqyera para partnerëve ndërkombëtarë ku stopimi i procesit të njohjeve është vetëm një nga pasojat e kësaj politike të jashtme të çakorduar, të papërgatitur dhe të dëmshme për shtetin e Kosovës.

Opozita është ankuar edhe në ministrin e Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, që s’i është përgjigjur interesimit të deputetëve.

“Po ashtu, duke qenë se Ministri i Punëve të Jashtme nuk përgjigjet as në interesimet e deputetëve për çështje të politikës së jashtme, pasi ai shumë rrallë merr pjesë në seancat e Kuvendit, si dhe në pamundësi që deputetët dhe Komisioni Parlamentar që mbulon politikën e jashtme të kryejnë detyrën e tyre si mbikëqyrës të ekzekutivit të vendit që merret me politikën e jashtme, kërkohet mbajtja e seancës së jashtëzakonshme”, thuhet në njoftim.

Seanca është kërkuar të mbahet me datë 16 nëntor 2018, në orën 10.00.