Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Opozita e re merr në Kuvendin e Shqipërisë postet e atyre që “dogjën” mandatet

Opozita e re në Parlament pritet të marrë një nga postet e rëndësishme drejtuese, atë të nënkryetarit të Kuvendit.

Këtë fakt e ka bërë të ditur sot kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili ka ftuar grupet parlamentare të opozitës së re që të marrin postet që kishin paraardhësit e tyre të PD dhe LSI-së në Kuvend.

Sipas Ballës, opozita e re do të marrë postin e nënkryetarit të Parlamentit, kryetarin e Komisionit të Mediave dhe Arsimit, kryetarin e Komisionit të Integrimit Europian dhe Komisionin e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale.

Këto komisione sipas Ballës do të drejtohen nga deputetët e rinj të listave të PD dhe LSI-së.

Po ashtu ata do të jenë pjesë dhe të delegacioneve parlamentare që përfaqësojnë Shqipërinë në institucionet ndërkombëtare.

Edhe Opozita në Shqipëri rikthehet në Kuvend pas 30 muajsh, Berisha për herë të parë pa PD-në Arbëri Opozita në Shqipëri rikthehet në Kuvend pas 30 muajsh, Berisha për herë të parë pa PD-në

“Ju jeni deputetët tërësisht legjitim në funksionin tuaj. I bëj thirrje të dyja grupeve të konturuara tashmë, ju lutem bëni propozimet për të marrë të gjitha pozicionet që i takojnë opozitës.

Tre kryetarët e komisioneve, nënkryetarin e Parlamentit dhe të gjitha delegacionet e tjera, të cilat me të drejtë i takojnë opozitës. Punë të mbarë në këtë ushtrim demokratik të punës së Parlamentit”.