Opozita ka përshëndetur aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Ajo ka shprehur mbështetjen e saj për procesin.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka thënë se aplikimi për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës është hap i duhur për të cilin s’do të duhej të kishte pasur hamendeshim.
“E përshëndesim këtë nismë dhe si opozitë do ta mbështesim në të gjithë hapat e ardhshëm këtë proces, në mënyrë që kjo objektivë shtetërore e shoqërore të realizohet sa më parë. Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, jo vetëm që e ofron Kosovën me vlerat demokratike evropiane, por i hapë perspektivë të re dhe shumë të nevojshme institucioneve të Kosovës, qytetarëve dhe shoqërisë tonë në përgjithësi”, ka thënë ai.
Mbështetje aplikimit të Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e BE-së i ka dhënë erdhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.
Abdixhiku përmes një statusi në Facebook ka thënë se LDK-ja do ta mbështesë këtë proces në të gjitha kapacitetet e saj politike.
Edhe
Hamza e Abdixhiku të gatshëm për t’u takuar me Kurtin, Gjini refuzon
“Si anëtarë të EPP-së, ne do të shfrytëzojmë të gjitha kanalet komunikuese tona në këtë drejtim. Prandaj sot, menjëherë pas aplikimit zyrtar, kam nisur një letër në drejtim të Presidentit të EPP z. Donald Tusk. Në këtë letër kam kërkuar mbështetjen e parezervë të familjes sonë evropiane për aplikmin e Kosovës; mbështetje e domosdoshme në Komitetin e Ministrave e në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës - aty ku deputetët e EPP-së përbëjnë grupin më të madh politik sot. Këtë mesazh do ta përcjellë edhe nga afër në Kongresin e radhës së EPP-së që do të mbahet këtë muaj në Rotterdam. Aty unë dhe LDK do të kemi rastin e adresimit me fjalë e të takimeve me udhëheqës shtetëror e liderë të partive anëtare të EPP-së nga e gjithë Evropa. LDK beson se anëtarësimi ynë në Këshill të Evropës forcon demokracinë tonë, siç dhe ndikon në stabilitetin rajonal për gjithë Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Abdixhiku.
Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka thënë se ky është lajm i mirë për vendin.
Në një postim në Facebook, Haradinaj ka shkruar se perspektiva evropiane e Kosovës është e pa alternativë.
“Si vend kemi ecur para drejt përmbushjes së kritereve të përcaktuara nga BE dhe kemi marrë notat më të larta në zbatimin e Marrëveshjes Stabilizim-Asociimit tash e sa vjet. Aplikimi sot i Kosovës në Këshillin e Evropës, është lajm i mirë për vendin. Është jetike për ne që BE t’ia hapë dyert Kosovës në proceset integruese duke liberalizuar vizat fillimisht dhe duke i dhënë Kosovës statusin e kandidatit. Kosova natyrshëm është pjesë e familjes evropiane”, ka thënë ai.
Edhe nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se PDK-ja do të japë mbështetjen e plotë në këtë proces.
Ajo ka shkruar në Facebook se me përjashtimin e Rusisë nga ky institucion, është krijuar një mundësi e artë.
“Kosova sot ka filluar procedurat e anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Me përjashtimin e Rusisë nga ky institucion, është krijuar një mundësi e artë. Votat e nevojshme dhe kriteret e kërkuara Kosova i ka plotësuar moti. Ne si PDK do ta japim mbështetjen e plotë në këtë proces”, ka thënë ajo.
Edhe
Kryesia Qendrore e LDK-së mbështet Abdixhikun
Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka thënë se është i lumtur që Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
“Kërkesë legjitime e cila më në fund i hap dyert edhe qytetarëve të Kosovës qasje juridike në instanca evropiane për të drejtat e njeriut, zhvillimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit. Serbia nuk ka pse të jetë kundër kësaj, pasi që anëtarësimi i Kosovës nuk e dëmton asnjë shtet, e as Serbinë në këtë rast. Nuk shoh asnjë arsye pse dikush do të kundërshtonte këtë iniciativë”, ka thënë ai.