Arbëri

Opozita akuzon ekzekutivin e Lipjanit për kontrata pa zotim të mjeteve

Subjekti opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, dega në Lipjan, nëpërmjet një komunikate për media, ka akuzuar të enjten ekzekutivin e kësaj komune me arsyetimin se e ka futur komunën në borxhe të thella prej 4.5 milionë eurosh, duke kontraktuar operatorë ekonomikë për projekte të ndryshme pa zotim të mjeteve.

“Ekzekutivi i komunës së Lipjanit pas marrjes së mandatit më 2013, e kishte akuzuar qeverisjen e PDK-së se ka zhytur komunën në borxhe prej rreth 5 milionë eurosh. Mirëpo, aktualisht edhe pse ky ekzekutiv po qeverisë me komunën, e ka zhytur komunën në 4.5 milionë euro. Pra viti 2021 po e pret Lipjanin me këtë shumë të borxheve e që është shqetësuese për të gjithë, sepse qytetarët kanë pritur të ketë një qeverisje të mirë, por në asnjë mënyrë të kontraktohen projekte pa zotim të mjeteve, siç ka ndodhur gjatë kohëve të fundit”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Sipas PDK-së, një kryetar që mbivlerëson vetveten duke kritikuar të tjerët po dëshmohet se nuk ka qeverisur mirë deri më tash.

“Po ashtu vitin e kaluar, komuna ka mbetur me suficit prej 1 milion eurosh pasi që ka dështuar ta menaxhojë paranë publike. Ekzekutivi e ka obligim ligjor të tregojë para qytetarëve se si janë krijuar këto borxhe ndaj operatorëve ekonomikë. Po ashtu kjo qeverisje ka dështuar edhe në transparencë derisa nuk publikohen kontratat për secilin projekt. Andaj pazaret e natës me kompanitë private për projekte të ndryshme janë të papranueshme për të gjithë, kështu që ne si PDK, kërkojmë nga ekzekutivi që të mos kontraktojë edhe projekte të reja pa i paguar të gjitha borxhet ndaj kompanive private, sepse mandati i LDK-së do të përfundojë më 2021”, thuhet në komunikatë.

Ndërkohë, drejtori për Buxhet dhe Financa në komunën e Lipjanit, Latif Ramadani, nuk i është përgjigjur pyetjeve të KOHËS rreth këtyre akuzave të opozitës.