Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Onkologjia merr 10 ampula nga 80 sa i kërkoi për pacientët me kancer

Klinika e Onkologjisë

Vetëm 10 ampula “Pembrolizumab”, të nevojshme për trajtim të pacientëve me kancer, i ka pranuar Klinika e Onkologjisë këtë javë, edhe pse planifikimet e kërkimet kanë qenë për 80 njësi, kanë thënë nga kjo klinikë. Familjarët e pacientëve që kanë ngelur pa marrë të premten këtë ilaç janë shprehur të zhgënjyer.

Merita Brovina, familjare e pacientëve me kancer, i është drejtuar me një letër publike drejtuar kryeministrit Albin Kurti e ministrit të Shëndetësisë Rifat Latifi. Ajo ka thënë se personeli mjekësor është detyruar “të bëjë punën e Zotit e të selektojë kush mund të jetojë e kush jo”. Brovina ka kërkuar nga krerët e shtetit të kuptojnë e zbërthejnë se kush dhe si e ka bërë përzgjedhjen e pacientëve.

“Në mesin e atyre 80 pacientëve që presin ta marrin ilaçin janë përzgjedhur dhjetë të cilët në tentativat më të vrazhda për mbijetesë e kanë kuptuar me rrugë joformale që ilaçi vjen sot andaj kanë zënë dyert e klinikës para se ilaçi te zbarkojë në klinikë. Ne të 70-të që e kuptuam me vonesë e vrapuam të marrim ilaçin nuk ishim me fat. 10 dhe 70 bëjnë 80, por nuk janë numra janë jetë, njerëzish të këtij vendi që frymojnë, që sot dikush në ketë institucion të quajtur QKUK ka bërë punën e Zotit duke i selektuar: ti mund të vazhdosh të jetosh e ti jo! Probabiliteti për të pasur shansin për të jetuar pak më gjatë sot ishte 1:8. Ne nuk e patëm atë fat e bashkë me ne edhe 70 frymëmarrje tjera!” ka shkruar ajo në rrjetet sociale.

“Pembrolizumab” nuk mund të blihet në tregun vendor e askund në rajon. E Klinika e Onkologjisë është e vetmja që trajton pacientët me kancer në Kosovë.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit në këtë klinikë, Arben Bislimi, ka pranuar se furnizimi ka qenë me 10 njësi. Sipas tij, mungesa është më e theksuar për shkak të rritjes së përdorimit të medikamentit si terapi edhe për disa patologji të tjera, pos asaj së melanomës për të cilin përdorej fillimisht “Pembrolizumabi”.

Edhe Prej dy muajsh mungon bari që kushton deri në 5 mijë €, QKUK-ja thotë se ka furnizim Arbëri Prej dy muajsh mungon bari që kushton deri në 5 mijë €, QKUK-ja thotë se ka furnizim

Ai ka thënë për KOHËN se planifikimi i medikamenteve bëhet me plan vjetor e pastaj tremujor dhe se ardhja e këtyre njësive u takon shtesave përtej planifikimeve fillestare.

“‘Pembrolizumabi’ është imunoterapi për disa patologji dhe është planifikuar fillimisht vetëm për melanomën për të cilin ka numër më të vogël të pacientëve, por me kalimin e kohës ka nisur edhe për patologji të tjera. Si rezultat i kësaj, përdorimi i medikamentit s’ka qenë i mjaftueshëm duke marrë parasysh edhe në rritjen e numrit të pacientëve. Për tremujorin e tretë, kanë qenë të planifikuara 80 në sasi dhe sot ka ardhur një sasi prej 10 ampulave të cilat s’mjaftojnë”, ka thënë ai.

Bislimi ka thënë se ilaçin e kanë marrë pesë pacientë (për shkak se terapia jepet në formë dozimi) sipas radhës që janë paraqitur në sportel, bazuar në listën e përgatitjes. Ai shpreson se javën e ardhshme do të bëhet furnizimi i kërkuar. Sipas tij, kjo klinikë veçse e ka bërë për ta rritur numrin e furnizimit karshi rritjes së numri të pacientëve që kanë nevojë për terapinë.

“Mund ta konstatoj si menaxher i klinikës se pacientët për të cilët është përshkruar ky medikament nga kolegët, që edhe janë dorëzuar në sportel e kanë proceduar më tutej, e kanë marrë sipas listës së përgatitjes. Kush ka arritur e pse të tjerët kanë ardhur më vonë, nuk e di”, ka thënë ai.

Edhe Pacientët me kancer detyrohen t’i blejnë disa lloje të barnave të Listës Esenciale Arbëri Pacientët me kancer detyrohen t’i blejnë disa lloje të barnave të Listës Esenciale

Bislimi ka shtuar se pret që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur.

Klinika e Onkologjisë nuk ka telashe vetëm me furnizim me barna. Shiu i rrëmbyeshëm i para disa javëve bëri që të ndërpritet marrja e terapisë ditore për shkak të mosfunksionimit të aparaturave në Klinikë.