Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Oda Ekonomike dhe EYE bashkë për të mbështetur zhvillimin e bizneseve

Oda Ekonomike e Kosovës dhe Enhancing Youth Employment (EYE) kanë nënshkruar marrëveshje mirëkuptimi dhe bashkëpunimi reciprok.

Qëllimi i këtij memorandumi, sipas OEK-ut, është për të forcuar bashkëpunimin në mes palëve nënshkruese që bien dakord për të koordinuar përpjekjet për çështje dhe aktivitete themelore të përbashkëta dhe për të shtyrë përpara ndryshimet e nevojshme në përmirësimin e klimës së biznesit dhe aftësimit profesional në Kosovë.

“Objektivat kryesore të këtij memorandumi janë përmirësimi i vazhdueshëm organizativ, mbështetja e konkurrencës së sektorit privat përmes rritjes së eksportit dhe investimeve në lidhje me shërbimet e zhvillimit të biznesit, mbështetja e rritjes së punësimit duke harmonizuar nevojat e tregut me programet e ndryshme të arsimimit dhe trajnimeve, mbështetja në transformimin e qendrës së trajnimit të KEK-ut në një qendër trajnimi kombëtare dhe rajonale dhe shumë objektiva të tjera që kanë për qëllim përmirësimin e fushëveprimtarisë së sektorit privat në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Oda Ekonomike e Kosovës thotë se është gjithmonë e gatshme t’i ndihmojë bizneset vendore për krijimin e kushteve adekuate në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe avancimit të rolit të sektorit privat si garantues i rritjes ekonomike në vendin tonë.