Arbëri

Oda e Hotelierisë: Masat e reja janë marrë pa u konsultuar me ne

Rritja rekorde e rasteve me koronavirus gjatë ditëve të fundit, ka bërë që Qeveria e Kosovës të ashpërsojë masat anti-COVID. Këto masa kanë hyrë në fuqi nga e shtuna e 22 janarit dhe do të jenë të vlefshme deri më 4 shkurt.

Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva, ka thënë se masat janë marrë pa u konsultuar me ta si OHT.

“Çdo masë e cila merret është dashur së pari të konsultohen me neve si odë, sepse ne përfaqësojmë një numër të madh të subjekteve hoteliere dhe turistike. Po ashtu edhe me akterë të tjerë për të mundur tek një vendim e cila kish me qenë e favorshme edhe për aspektin ekonomik por edhe atë që të mos ketë influencë negative në këtë drejtim”, është shprehur ai.

Sogojeva tha se vendimet nga Qeveria e Kosovës për masat anti-COVID janë të njëanshme e nuk janë të mira për bizneset.

“Çdo vendim i cili merret pa u konsultuar me neve nuk është vendim i mire. E dimë që shëndeti është mbi të gjitha por edhe shëndeti ekonomik luan rol shumë të rëndësishëm”.

Sogojeva më tej u shpreh se disa prej masave që janë marrë do të duhej të krahasoheshin me rajonin, sipas tij edhe në rajon ka raste të infektimeve por që nuk kanë marr masa.

“Njerëz nga Prizreni, nga Boga u informova të gjithë që kanë qenë të paraparë të shkojnë në Prevallë ose në Bogë kanë shkuar në Mavrovë, pse me bë një gjë të tillë”. /EO