Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Oda e Hotelierisë kërkon të lëshohet teleferiku në Brezovicë

Oda e Hotelierisë dhe Turizmit e Kosovës, ka kërkuar që teleferiku në qendrën e skijimit në Brezovicë, të vihet në funksion dhe njëherësh të lejohen edhe turistët e pavaksinuar me dy dozat kundër COVID-19 të hyjnë në pikën kufitare “Jazhicë Glloboqicë”.

Nëpërmjet një komunikate, kjo odë është ankuar për mosfunksionimin e këtij teleferiku, të cilin e quajnë një ndër atraksionet më të vizituara në këtë vend dhe që është dashur të hynte në funksion që nga data 25 dhjetor.

“Teleferiku akoma nuk është lëshuar, edhe pse është dashur të lëshohet që nga data 25 dhjetor 2021, ndërkohë që teleferiku në Brezovicë është një ndër atraksionet më të vizituara, sidomos tani me ardhjen e mërgimtarëve në Kosovë, dhe kjo që po ndodh është një humbje e madhe nëse nuk parandalohet menjëherë”, thuhet në komunikatën e OHT-së.

Një tjetër pakënaqësi e shfaqur në këtë komunikatë është edhe moslejimi i hyrjen në pikën kufitare “Jazhicë Glloboqicë”, për vizitorët që nuk e kanë dëshminë e dy vaksinave anti-COVID.

“Gjithashtu, një tjetër ankesë apo pakënaqësi e cila është prezente tash e disa ditë është se në pikën kufitare ‘’Jazhicë Glloboqicë’’ nuk po lejohen të hyjnë vizitorët nëse nuk e kanë dëshminë e dy vaksinave, pra nuk po vlen as testi negativ PCR apo dëshmia se personi ka kaluar COVID-19”, thuhet më tej në kumtesë.

Me këtë rast, kjo odë ka kërkuar që sa më parë të ketë ndërhyrje në këto dy problematika që, sipas saj, po shkaktojnë shumë humbje të bizneseve.