Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Oda Amerikane propozon tri alternativa për zgjidhjen e çështjes së dinarit

Oda Amerikane në Kosovë ka dalë me tri alternativa për të ndihmuar në zgjidhjen e çështjes së dinarit, e cila ka shkaktuar reagime të shumta ndërkombëtare që kur hyri në fuqi Rregullorja e re e Bankës Qendrore (BQK) më 1 shkurt.

Rregullorja e BQK-së e bën euron si valutën e vetme për pagesa në Kosovë. Kjo ka nxitur reagime nga komuniteti serb që pranon pagesa në dinarë nga Serbia. Ndërkombëtarët, veçanërisht SHBA-ja, i kanë bërë thirrje Qeverisë ta shtyjë vendimin për një periudhë tranzicioni, për të informuar më mirë qytetarët. Por nga Qeveria nuk kanë dhënë shenja do të heqin dorë – megjithëse BQK-ja ka njoftuar se do të ketë afat tre muaj për “edukim dhe informim” të komuniteteve.

Oda Amerikane në reagim të enjten ka thënë se e kupton nevojën për mbikëqyrje rregullative me qëllim të sigurimit të stabilitetit financiar, “por është imperativ të konsiderohen edhe implikimet afatshkurta që rregullimi ka në mirëqenien financiare të qytetarëve të Kosovës”.

“Rregullorja në fjalë, pa paragjykim ndaj objektivit aktual, në mënyrë jo të duhur, pohon që vetëm euro mund të përdoret për qëllime të pagesave brenda Kosovës, duke përjashtuar në mënyrë të efektshme përdorimin e valutave të tjera në transaksionet ndërmjet palëve. Sidoqoftë, është esenciale të thuhet që përderisa euro mban statusin e mjetit ligjor të pagesave në Kosovë, kjo nuk përjashton përdorimin e valutave të tjera në transaksionet, në rastet kur palët e përfshira arrijnë dakordim reciprok. Kështu, pretendimi i rregullores në lidhje me përdorimin ekskluziv të euros mund të keqinterpretohet dhe prandaj kërkon rishikim për qartësi”, thuhet në reagimin e Odës Amerikane.

Tri alternativat e Odës Amerikane për zgjidhjen e çështjes së dinarit:

Alternativa 1: Shfrytëzimi i institucioneve të transferit të parave për transferimin e fondeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Edhe pse konsiderohet si fizibil, ky opsion mund të jetë më pak praktik dhe më i kushtueshëm për individët.

Edhe Sot përfundon periudha transitore për dinarin Arbëri Sot përfundon periudha transitore për dinarin

Alternativa 2: Krijimi i një llogarie bankare nga Qeveria e Serbisë në Serbi për transaksione ndërshtetërore me llogaritë përkatëse të denominuara në dinarë në bankat e Kosovës. Kjo metodë ofron një zgjidhje praktike nëpërmjet marrëdhënieve ekzistuese bankare, me gjithë kompleksitet e mundshme logjistike.

Alternativa 3: Transferet direkte të fondeve nga ndonjë bankë të Serbisë në ndonjë bankë të përcaktuar në Kosovë për shpërndarje në llogaritë e përfituesve individualë. Ky opsion thjeshton procesin duke siguruar përputhshmërinë me kërkesat rregullative.

“Në të gjitha alternativat, është e rëndësisë kruciale të adresohet licencimi i institucioneve për importim të valutave, për të siguruar një furnizim adekuat të dinarëve në Kosovë. Duke qenë një avokuese për një mjedis të favorshëm biznesi dhe zhvillim ekonomik në Kosovë, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë thekson rëndësinë e masave të balancuara rregullative, të cilat nxisin gjithëpërfshirjen financiare dhe lehtësojnë aktivitetet ekonomike ndërshtetërore. Oda Amerikane kërkon nga të gjithë hisedarët të rishqyrtojnë implikimet e rregullores së miratuar së fundmi dhe të eksplorojnë zgjidhje bashkëpunuese të cilat mbështesin objektivat rregullative si dhe pragmatizmin ekonomik”, përfundon reagimi i tyre.