Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka ndërmarrë masa shtesë për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19. Nëpërmjet një vendimi, ai i ka obliguar bizneset që vazhdimisht t’i dezinfektojnë shportat dhe hapësirat ku ofronë shërbime. Në këtë vendim të kryetarit thuhet se këto duhet të dëshmohen nga bizneset me raporte përkatëse të kompanive të dezinfektimit. Në të kundërtën, Gashi ka paralajmëruar gjoba për ata që nuk i përfillin këto masa.
“Me qëllim të menaxhimit të situatës së krijuar si dhe në parandalimin e infeksionit me COVID-19, Shtabi emergjent lokal i Komunës së Obiliqit nën udhëheqjen e shefi të shtabit (Kryetarit të Komunës) Xhafer Gashi, kanë ndërmarrur masa shtesë”, thuhet në njoftimin e Komunës së Obiliqit.
Në këtë vendim thuhet se obligohen të gjitha dyqanet e shitjes së produkteve ushqimore dhe joushqimore, në Komunën e Obiliqit, që në baza të rregullta/vazhdimisht gjatë ditës të dezinfektojnë, të gjitha karrocat dhe shportat me të cilat shërbehen qytetarët e Komunës për bartjen e produkteve ushqimore dhe të njëjtën duhet ta dëshmojnë me raporet përkatëse të kompanive të dezinfekimit.
“Obligohen të gjitha bizneset industriale dhe komerciale të cilat si veprimtari kanë realizimin e pagesave të ndryshme të bëjnë dezinfektimin e vazhdueshem të hapësires ku ofrojnë shërbime dhe ta dëshmojnë me raporte përkatëse. Obligohen të gjitha bizneset që operojnë në Komunën e Obiliqit që të caktojnë një person përgjegjës i cili do merret me respektimin e distancës së klientëve gjatë ofrimit të shërbimeve të tyre”, thuhet në vendimin e kryetarit të Obiliqit. “Bizneset të cilat veprojnë në kundërshtim me dispozitat e këtij vendimi do të gjobiten në bazë të legjislacioneve në fuqi”.