Një vendim i Këshillit Prokurorial të Kosovës për të ndaluar pagesat në rastet e përfaqësimit zyrtar, ka bërë që Oda e Avokatëve të Kosovës të bojkotojë përfaqësimin e tyre exofficio në polici. Por, menjëherë, me të hyrë në bojkot, KPK-ja vendosi të takojë drejtuesit e Odës, duke u premtuar atyre zgjidhje të situatës, raporton KTV.
Ka kaluar më shumë se gjysmë muaji që kur avokatëve që angazhohen sipas detyrës zyrtare, u është ndaluar pagesa nga Këshilli Prokurorial i Kosovës .
Ky institucion më 16 mars të muajit të kaluar, kishte marrë vendim që të mos pranojë faturat e avokatëve për përfaqësim sipas detyrës zyrtare me numër të rastit nga procesverbali i Policisë.
Por, që pagesa për shërbimin të bëhej vetëm në rastet kur avokati të marrë numrin përkatës në Prokurori.
Mirëpo, kërkesat e avokatëve u morën parasysh, vetëm kur Oda vendosi të bojkotonte përfaqësimin e tyre exofficio në polici.
Me të hyrë në bojkot qysh mëngjesin e së premtes nga ana e Odës së Avokatëve, Këshilli Prokurorial i Kosovës vendosi të takojë krerët e Odës.
Në këtë takim, kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, premtoi se deri javën tjetër, kërkesat e tyre do të përmbusheshin.
Por avokatët, të cilët kohëve të fundit u përballën me këtë problem, thonë se ofruan shërbimin e tyre, derisa nuk u paguan për këtë shërbim.
Nga ana tjetër, Këshilli Prokurorial i Kosovës për një kumtesë për media, gjithë këtë situatë e quajti vetëm një keqkuptim.
Më tutje në kumtesë, thuhej se në takim me kreun e Odës së Avokatëve, kjo çështje tashmë është zgjidhur dhe më nuk do të ketë arsye për bojkotim në përfaqësim zyrtar.