Diplomë bachelor në Infermieri të Përgjithshme është kërkuar në konkursin e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës për pozitën defektolog në Klinikën e Otorinolaringologjisë. Për këtë vend pune kanë aplikuar vetëm dy kandidatë. Nga Departamenti i Infermierisë në Universitetin e Prishtinës thonë se të diplomuarit në infermieri nuk janë të kualifikuar për ta ushtruar punën e defektologut, pasi kjo pozitë kërkon arsimim specifik
Në konkursin e hapur nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës për pozitën defektolog në Klinikën e Otorinolaringologjisë, si kriter tek arsimimi kërkohet vetëm diploma bachelor në Infermieri të Përgjithshme.
Në këtë konkurs kanë aplikuar dy kandidatë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMë 16 janar, me publikimin e listës së aplikuesve, në dokument figuron pozita “Mjek specialist i Otorinolaringologjisë”.
Më pas, me një publikim tjetër më 21 janar, ky gabim është përmirësuar dhe është rikthyer sërish emërtimi defektolog.
Defektologu është profesionist i fushës së edukimit special, merret me vlerësimin dhe trajtimin e çrregullimeve të të folurit, dëgjimit dhe zhvillimit intelektual, si dhe me mbështetjen e fëmijëve me autizëm apo vonesa zhvillimore.
Por Besarta Pelaj, shefe e Departamentit të Infermierisë në Universitetin e Prishtinës, ka thënë se studentët e infermierisë nuk ndjekin program që përfshin përgatitje në fushën e defektologjisë.
“Kurrikula e këtij programi nuk përfshin lëndë apo module të specializuara në fushën e defektologjisë, logopedisë apo terapisë së të folurit dhe gjuhës. Në lënden Komunikimi në shëndetësi, dhe sipas kurrikulës, elementet e komunikimit që trajtohen tek studimet infermierore kanë karakter të përgjithshëm profesional dhe etik, dhe shërbejnë për përmirësimin e komunikimit klinik me pacientin, jo për vlerësim apo terapi të specializuar të çrregullimeve të komunikimit”, ka thënë Pelaj.
Sipas saj, infermierët nuk janë të kualifikuar për të kryer punën e defektologut.
“Diploma Bachelor e Infermierisë përgatit profesionistë për ushtrimin e profesionit të infermierit dhe nuk mund të konsiderohet diplomë ekuivalente apo zëvendësuese për profile profesionale si, defektologjinë. Në këtë kuadër, infermierët nuk përgatiten për ushtrimin e shërbimeve të specializuara në fushën e çrregullimeve të folurit dhe gjuhës, të cilat, sipas praktikave profesionale dhe standardeve ndërkombëtare, kërkojnë arsimim universitar specifik dhe kompetenca të veçanta profesionale”, ka thënë ajo.
Programi i defektologjisë aktualisht nuk ofrohet në asnjë institucion akademik në Kosovë, as në Universitetin e Prishtinës dhe as në ndonjë universitet privat.
Për këtë konkurs ka pasur reagime edhe nga “ZË- Asociacioni i Logopedëve të Kosovës”, të cilët atë e kanë cilësuar si të papërshtatshëm.
Lekë Gjurgjialin, drejtor i këtij asociacioni, ka thënë se edhe vetë termi “defektolog” nuk përdoret më në shumicën e vendeve të zhvilluara perëndimore.
“Termi ‘Defektolog’ është larguar nga përdorimi në thuajse të gjitha shtetet e zhvilluara perëndimore së paku para 20 viteve. ‘Defektologjia’ si degë studimi e ‘Defektologu’ si profesion nuk përdoren si terma të tillë për shkak se cilësohen si terminologji stigmatizuese, jo të sakta dhe jogjithëpërfshirëse për komunitetin që e trajtojnë. Një profesion i tillë, fatkeqësisht, akoma ekziston në mesin e profesioneve të rregulluara në Kosovë, edhe pse studimi i këtij profesioni nuk është i mundur në Kosovë ose në asnjë vend të zhvilluar perëndimor”, ka thënë ai.
Sipas tij, shtetet që ende e përdorin këtë term janë Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Rusia, ndërsa në literaturë theksohet se përdorimi i tij lidhet kryesisht me vende të influencuara nga ish-Bashkimi Sovjetik.
KOHA që nga e mërkura i ka dërguar pyetje Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës për të sqaruar pse për një pozitë të tillë kërkohet vetëm diplomë bachelor në Infermieri të Përgjithshme, por nuk ka marrë përgjigje.