Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Nxirret Udhëzim Administrativ për Procedura për Leje Ujore

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka nxjerrë Udhëzimin Administrativ për Procedurat për Leje Ujore, përmes së cilit parashihet hapja e rrugëve për shfrytëzimin racional të resurseve ujore të Kosovës.

Me rastin e nënshkrimit të këtij udhëzimi, u.d ministri i MMPH-së Fatmir Matoshi, tha se ky udhëzim do të krijojë bazë ligjore dhe do të ndikojë në menaxhimin e resurseve ujore.

“Udhëzimi Administrativ për Procedurat për Leje Ujore, do të rregullojë gjendjen e përgjithshme të menaxhimit të qëndrueshme të resurseve ujore dhe zhvillimin e gjithëmbarshëm ekonomik të vendit duke krijuar kështu bazë të mirëfilltë ligjore për një konkurrencë të denjë për të gjithë pjesëmarrësit në këtë fushë”, deklaroi Matoshi.

Ky udhëzim sipas Matoshit, ka për qëllim edhe rregullimin e procedurave aplikuese për akte ujore, strukturimin e procedurave shqyrtuese të kërkesave lëndore për shfrytëzimin e resurseve ujore në aspektin administrativ e teknik si dhe përcaktimin e kritereve shqyrtuese të pakos së dokumentacionit të parashtruara me aplikacion.

Udhëzimi Administrativ për Procedurat për Leje Ujore, po ashtu ka për qëllim krijimin e mekanizmave efikasë për mbikëqyrjen e ushtrimit të aktiviteteve të operatorëve në resurse ujore, përmes administrimit sipas detyrës zyrtare, përmes Urdhëresës Ujore.

Edhe Bllokohet kthimi i ligjshmërisë në procesin e licencimit të hidrocentraleve Arbëri Bllokohet kthimi i ligjshmërisë në procesin e licencimit të hidrocentraleve

Ndër tjerash, ky udhëzim përmban edhe dispozita që përkufizojnë procedurat e veçanta të lëshimit të Kushteve Ujore, Pëlqimit Ujor, Lejes Ujore dhe Urdhëresës Ujore pastaj lartësinë e tarifave administrative dhe lejet e operatorit për kyçje në rrjetin e infrastrukturës ujore.

Udhëzimi Administrativ për Procedurat për Leje Ujore është i sistemuar në 7 kapituj e 36 nene dhe 7 shtojca.