Arbëri

Nxënësit mërdhijnë në “Eqrem Çabej”, prindërit sigurojnë pajisje për ngrohje

Nxënësit që i vijojnë mësimet në gjimnazin “Eqrem Çabej” në Prishtinë, po përballen me të ftohtin në klasa shkaku i dritareve që nuk mbyllen tërësisht. Këtë gjendje e kanë konfirmuar drejtuesit e shkollës, ndërsa prindërit përveç që janë ankuar për kushtet, disa prej tyre janë angazhuar në sigurimin e pajisjeve për ngrohje. Në Komunën e Prishtinës nuk u janë përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me mosrealizimin e investimeve për riparimin e dritareve

Në disa klasë të gjimnazit “Eqrem Qabej”, në Prishtinë, mësimi zhvillohet në temperatura të ulëta. Në objektin e ndërtuar 11 vjet më parë, i ftohti depërton nëpërmjet dritareve që nuk mbyllen tërësisht, duke rrezikuar shëndetin e nxënësve. 

Në këtë objekt, mësimin tërëditor e ndjekin nxënës të klasave nga e gjashta deri në të nëntën të shkollave “Nazim Gafurri” e “Shkolla e Gjelbër”.

Për këtë gjendje, ankesa kanë shprehur prindërit. Enver Beqiri, që është edhe drejtor i Këshillit të Prindërve në “Shkollën e Gjelbër”, thotë se problemet me infrastrukturën kanë qenë shkaku përse që nga fillimi është kundërshtuar vendosja e nxënësve në këtë shkollë.

“Na si prindër kur është folë e diskutuar se kanë me ardhë klasat 6, 7, 8, 9 në këtë objekt, e kemi kundërshtuar fuqishëm. Kemi pas reagime, kemi pas takime me ish-drejtoreshën, na u ka premtuar që kanë me investu para se të fillojë mësimi gjithëditor. Na kanë thanë që asnjë ditë nuk ka me u mbajtë mësimi pa u renovuar shkolla që ka me kanë pika kryesore për me u zhvillu mësimi. Nuk është ndërmarrë kurgjo hiç”, tha Beqiri.

Për ta minimizuar problemin me ngrohje, Beqiri tregon se si e ka blerë vetë një kondicioner për klasën në të cilën i vijon mësimet fëmija i tij. Njëjtë sipas tij kanë vepruar edhe disa prindër të tjerë.

“Ky objekt nuk i përbush kushtet elementare për mbajtjen e mësimit për klasat 6, 7, 8, 9. Fakti se nuk ka dritare, janë dritare të cilat janë përdorë në një objekt tjetër, edhe i kanë vendosur këtu. Ka vrima nëpër to, kalon drita nëpër to, kalon fryma nëpër to... Disa prindër kanë investuar, kanë ble klima, kanë ble mjete për me i ngrohë, drejtoria e shkollës ka bërë përpjekje maksimale për me ngrohë”, u shpreh Beqiri.

Beqiri po ashtu paralajmëroi që në rastet që nuk sanohen dritaret deri në dimër do ta ndërpresin mësimin.

“Me u taku, me u konsolidua me kryesinë e shkollës tjetër “Nazim Gafurri” edhe me ta së bashku me dalë me një kërkesë të përbashkët me iu drejtu Komunës së Prishtinës për kushte të cilat mbretërojnë në këtë shkollë. Bashkërisht me dalë me një kërkesë ose reagim me paralajmëru Komunën që ne kemi me ndërpre mësimin në rast se nuk rregullohen kushtet në këtë objekt”, pohoi ai.

Investimin e prindërve e konfirmoi edhe drejtori i “Shkollës së Gjelbër”, Besart Ismaili. Ai thotë se në këtë shkollë janë bërë renovime, porse Komuna e Prishtinës nuk e ka realizuar premtimin për ndërrimin e dritareve. 

“Na kanë thënë që duhet me u transferu. I kanë ditë të metat e objektit edhe janë të njohura ato probleme për DKA-në, edhe më herët nuk ka pasur masa sa i përket dritareve, pikërisht që nuk ka pasur kontratë”, ka thënë Ismaili. 

Ai tha se për këtë gjendje kanë qenë në dijeni që nga fillimi. 

“Ne i kemi ditë këto gjana pasi që qe 11 vjet ne jemi afër me shkollën, kemi kontakte me mësimdhënës por që i kemi marrë disa masa të izolimit të dritareve atëherë i kemi bërë. Edhe e-mail kemi dërguar për problemet dhe telashet që kanë qenë këtu. Në disa klasë janë vendosë disa klima nga prindërit edhe në disa klasa të tjera janë vendosur edhe klima nga Drejtoria e Administratës së Komunës së Prishtinës. Por që nuk është problem i ftohtit nga mosangazhimi i stafit teknik të objektit, në mëngjese ndizet nxemja ndërsa gjatë gjithë ditës radiatorët janë shumë të nxehtë por problem është vetëm te dritaret. Atëherë e kanë pa, ka dalë ekipi komunal e i kanë pa edhe dritaret ku duhet të intervenohet sepse disa nga klasat janë shumë mirë”, tha ai.

KOHA prej dy ditësh i ka adresuar pyetje Komunës së Prishtinës lidhur me mosrealizimin e investimeve për ndërrimin e dritareve në këtë shkollë, porse nuk ka marrë përgjigje.