Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Nuk u rivotua Ligjit për teatrin, deputetët e opozitës braktisin Kuvendin

Deputetët e opozitës braktisën seancën plenare këtë të enjte. Ata kërkuan rivotim për ligjin për prishjen e Teatrit Kombëtar.

Sipas kreut të Grupit parlamentar të PD-së, Edmond Spaho, votimi ka qenë i parregullt prandaj duhet të përsëritet dhe në shenjë proteste opozita largohet nga seanca.

“Një deputet i mazhorancës kishte votuar për një deputet të opozitës dhe kryetari i Kuvendit urdhëroi që të mblidhej Këshilli i Emërimeve dhe Procedurave, i cili u mblodh dhe në fakt vërtetoi qëndrimin e opozitës. Në fakt votimi i një deputeti të opozitës ishte kryer pavarësisht pretendimeve të palëve se kush e kishte kryer. Sa kohë që ky votim ka qenë i parregullt duhet të përsëritet. Unë në emër të opozitës kërkoj që të ripërsëritet ky votim. Meqenëse ju nuk e rregulloni këtë gabim, në shenjë proteste ne do të largohemi nga kjo seancë sepse nuk mund të qëndrojmë në një Kuvend ku vidhet vota edhe pse nuk është e nevojshme që të bëhet”, tha Spaho.