Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Norvegjezët zbulojnë Sarandën, bëhen banorë të saj

Saranda buzë Jonit është qyteti me të cilin janë dashuruar jo vetëm shqiptarët por edhe të huajt.Vite më parë, ndërsa Shqipëria ishte ende e veshur me mistere në sytë e turistëve, shumë prej tyre krahas bukurive natyrore zbuluan potenciale investimesh që e kthyen vendin e shqiponjave në një parajsë për ta.

Saranda është qyteti që ndër vite ka tërhequr më së shumti vëmendjen e të huajve, të cilët sot atje kanë blerë shtëpi e kanë krijuar biznese.

Norvegjezët janë “komuniteti” më i madh me shtëpi pushimi në Sarandë

Në krye të listës qëndrojnë norvegjezët, të cilët për shkak të numrit të lartë i kanë dhënë emrin edhe një pallati në lagjen numër 4 të qytetit, sikurse edhe një plazhi të vogël aty pranë.

Stig Nyhus dhe Mari Aaboen janë ndër të parët që bënë këtë hap. Ata pranuan të hapin për kamerën e Ora News derën e shtëpisë ku përgjithësisht vijnë për të kaluar ditët e nxehta të verës.

Edhe “Çmenden” çmimet e apartamenteve në bregdetin shqiptar Arbëri “Çmenden” çmimet e apartamenteve në bregdetin shqiptar

Shqipërinë e kanë vizituar si turistë 12 vjet më parë, por zbuluan se Saranda ishte qyteti që i jepte mundësinë edhe një punëtori të thjeshtë të vendit nordik për të pasur një shtëpi buzë detit.

“Nuk ishte e planifikuar! Erdhëm me disa miq. Na pëlqeu qyteti dhe njerëzit. Çmimi normal dhe i volitshëm që i krijonte mundësi për ta blerë edhe një punëtori normal norvegjez”.

Saranda thonë se u jepte mundësinë për tu relaksuar në një qytet që ata e cilësojnë të bukur dhe me klimë të mirë. Madje në kujtesë kanë dhe vitet e para, kohë kur nuk kishte këtë boom turistësh të huaj.

"Ishte mundësia për t’u reklasuar ajo që na nxiti krahas mundësisë për ta blerë".

"Në atë kohë nuk kishte kaq shumë turistë, kështu mund të jetoje normalisht, mes shqiptarëve jo si në Spanjë apo vende të tjera që mund të ishin alternativë".

Në të njëjtin pallat, ka apartamentin veror prej vitit 2012 edhe familja e Sigbjorn dhe Lillane Lenes.

"Erdhëm me disa miq në vitin 2008, pasi ishim më pushime në Korfuz. Kaluam disa ditë këtu vendosëm se ne duhet të kemi shtëpinë tonë në Sarandë. Dhe prej vitit 2012 kemi tashmë apartamentin tonë në Sarandë".

Në kohën kur ata vendosën të kenë shtëpinë e tyre buzë Jonit, vëmendjen e turistëve në Ballkanin Perëndimor e tërhiqte më së shumti Kroacia, por çmimet e lira ishin arma më e fortë e Sarandës, krahas klimës siç tregon çifti norvegjez.

“Ne kemi udhëtuar në disa vende, Kroaci e të tjera por na përlqeu Saranda. Çmimet ishin shumë të mira dhe kjo ishte arsyeja kryesore".

"Klima, njerëzit, çmimet dhe pozicioni sigurisht".

Norvegjezët e parë që vendosën të kenë një shtëpi në Sarandë, duket se kanë tërhequr dhe bashkëkombësit e tjerë të tyre. Fjalët e mira pasi ktheheshin nga pushimet kanë sjellë rritjen e pushuesve që e shihnin qytetin bregdetar shqiptar si alternativë.

"Fjalët dhe reputacioni i mirë kaluan gojë më gojë. Ata që blenë apartamentet e para u treguan të tjerëve për vendin dhe çmimet e lira, krahas bukurive natyrore dhe klimës. Kështu fjala u përhap dhe më shumë erdhën të blejnë".

329 shtetas të huaj kanë blerë shtëpi në Sarandë në 2014-2018

Sipas të dhënave zyrtare të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme janë 329 shtetas të huaj që kanë blerë një shtëpi në Sarandë gjatë periudhës 2014-2018.

Numri real llogaritet të jetë më i lartë, po ti referohesh të dhënave të argjensive imobiliare.

Arben Çipa, president i “Cipa Tours” i ftuar në “Tonight Ilva Tare” foli për të paktën 300 familje norvegjezë që kanë blerë apartamente në këtë qytet.

Njohja e potencialeve turistike të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare me kalimin e viteve u shoqërua me rritjen e numrit të vizitorëve të kombësive të ndryshme në Sarandë dhe mes tyre të shumtë ishin edhe ata që e panë qytetin bregdetar si një vend për të ngritur biznes.

Yuliya Shakir dhe dy djemtë e saj janë tre kazakistanasit e parë që kanë zgjedhur Sarandën për të jetuar dhe punuar .

Prej muajit prill, ata kanë blerë një apartament në qytetin bregdetar nga i cili thonë se nuk dëshirojnë më të largohen pasi kanë në plan të ngrenë edhe një biznes Aty.

"Quhem Julia dhe jam nga Kazakistani. Kam ardhur këtu bashkë me dy djemtë. Zgjodhëm Sarandën për të jetuar pasi Kazakistani është shumë i ftohtë, ndërsa ne duam të jetojmë buizë detit".

Natalia Ivanova, është përfaqësuese e rusëve në Sarandë por me qëllim të qartë për të bërë biznes bashkë me bashkëshortin shqiptar me të cilin ka jetuar për 15 vjet të Greqi.

"Jam këtu prej 4 vitesh dhe dua të qëndroj edhe për shumë vite të tjera, sepse e dua këtë vend dhe i dua banorët e Shqipërisë, natyrën dhe gjithçka. Unë jam e martuar me një shqiptar dhe kemi dy fëmijë".

Ata janë vendosur aty prej katër vitesh dhe kanë ngritur një agjensi udhëtimesh që sjell në Shqipëri turistë nga Rusia apo vende të tjera rusisht folëse.

"Në Rusi e Ukrainë, nuk dinë asgjë për Shqipërinë, ndaj kur vijnë këtu befasohen. Shumë prej tyre kur vijnë me pushime pyesin për apartamente këtu në Sarandë, pasi nuk duan të largohen më. Unë njoh rusë, ukrainas, kazakistanas e bjellorusë që kanë blerë shtëpi këtu".

Në Ksamil prej pak vitesh vijnë për të punuar të rinj edhe nga Greqia

18 km nga Saranda ndodhet Ksamili, një prej zonave më të lakmuara për pushime, ku tre ishujt janë një mrekulli më vete.

Vitet e fundit në Ksamil është vënë re edhe një fenomen që vite më parë rrallë kush mund ta imagjinonte.

Shtetas të huaj vijnë e punojnë aty gjatë sezonit veror.

Ora News takoi dy të rinj që kanë ardhur nga Athina për të punuar në hotelet e zonës.

"Jam nga Athina dhe kam ardhur këtu për të punuar. Besoj se ky është një ndër vendet më të bukura që kam parë. Plazhet janë të bukura dhe njerëzit shumë të mirë. Shumica e turistëve ndjehen si në shtëpi, pasi shqiptarët sillen mirë me ta. Ata e pëlqejnë këtë plazh dhe klimën e Sarandës.

"Kam ardhur të punoj në Ksamil pasi bashkëshortja ime është nga këtu. Njerëz të këndshëm, deti që është shumë i bukur, ushqimi shumë i mirë dhe Butrinti".

Familjet e huaja me një pronë në Sarandë qëndrojë aty mesatarisht dy ose tre javë, nga ku ndërmarrin edhe udhëtime për të njohur të tjera pjesë të Shqipërisë së bukur.

"Marrim makina me qira dhe udhëtojmë nëpër Shqipëri. Kemi vizituar disa qytete por më së shumti më pëlqen Saranda".

"Mendoj se Shqipëria është e bukur. Në fakt nuk bëjmë shumë aktivitete gjatë pushimeve. Qëndrojmë në plazh, dalim udhëtojmë por jo shumë. Nuk kam bërë shumë jetë nate, kam vënë re se ka një klub nate.Kam bërë miq shqiptarë dhe të huaj, jo të ngushtë, por përshëndetemi. Më pelqejnë shqiptaret. Janë mendje hapur dhe të afërt, kjo nuk ndodh në Norvegji, ku njerezit janë të mbyllur dhe nuk flasin shumë me njëri-tjetrin".

Agjensitë turistike thonë se Saranda është e “prenotuar” nga të huajt këtë verë

Vitin e kaluar sipas të dhënave të bashkisë së Sarandës, qyteti buzë Jonit priti 780 mije turistë. Një pjesë e konsiderueshme ishin të huaj.

Shifrat janë optimiste edhe për këtë sezon të ri. Por kur jemi në mes të sezonit dhe dëshira për të pushuar në Sarandë është më e madhe, do të jetë e vështirë për të gjetur dhomë.

Kryetari i Shoqatës së Industrisë së Turizmit shprehet se Saranda është e prenotuar prej kohësh.

Sipas të dhënave të INSTAT, hyrjet e shtetasve të huaj në periudhën 2013-2017 janë rritur mesatarisht 12%, ndërsa shpenzimet e turistëve të huaj (jo – rezidentët) në vendin tonë janë rritur mesatarisht 8.5%.

Hyrjet nga rajoni i Evropës zënë pjesën më të madhe me 92.4% dhe janë rritur mesatarisht me 12.3 % gjatë periudhës 2013-2017.

Ky trend është edhe në muajt e parë të 2018. Numri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë në pesë mujorin e parë e 2018 është 1.423.367 duke u rritur me 7,7 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2017.

Edhe Sarandën e “pushtojnë” pushuesit nordikë Arbëri Sarandën e “pushtojnë” pushuesit nordikë

Shumica e turistëve të huaj në Vlorë mbërrijnë nga deti. Me krocera, tragete, apo jahte luksoze që gjatë muajve të verës i sheh shpesh të ankoruar përballë qytetit.

Plazhi dhe deti janë pjesë e pandarë e ofertës turistike të Sarandës.E tillë është edhe kjo anije që shëtit turistët.

Parku i Butrintit, destinacioni më i vizituar nga turistët e huaj në Sarandë

Jo larg Sarandës, duke qëndruar në bregdet, është Parku Kombëtar i Butrintit. historia e lashtë, arkeologjia dhe bukuritë natyrore ofrojnë një tjetër surprizë.

Padyshim është një prej destinacioneve kryesore që sjell turistë në Saranda.

Nga të dhënat e publikuara bëhet me dije se të paktën 1500 vizitorë mbërrijnë çdo ditë për të vizituar parkun Pasuri e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe zonë ligatinore me rëndësi ndërkombëtare.

Butrinti mendohet t’i ketë fillimet e tij në shekullin VIII para Krishtit, me vendosjen aty të tregtarëve të Korfuzit. Ky është qyteti që lidhet më shumë me legjendën e Eneas së Trojës.

Qyteti i Butrintit ishte i banuar në parahistori dhe gjatë suksesit të dominimeve dhe luftërave ishte në duart e romakëve, ilirëve, grekëve, bizantinëve, venecianëve dhe ruajti rëndësi të madhe falë pozicionit të tij strategjik në ngushticën e Korfuzit.

Ajo që ka mbetur mrekullon çdo vizitor.

Gjatë xhirimeve të këtij reportazhi, Ora News takoi në Butrint turistë nga disa vende të botës të cilët u shprehen të befasuar nga parku.

Aty gjen nga turistët e thjeshtë me njohuri minimale për sitin deri tek ekspertët e arkeologjisë, siç është rasti i këtij profesori italian që jep mësime edhe në Tiranë.

"Vendi është i mrekullueshëm. Për shkak se është siti arkeologjik më i njohur në Shqipëri, ndoshta duhet vlerësuar akoma më shumë. Por megjithatë vendi është i mrekullueshëm. Ksamili me siguri është një nga vendet më të bukura të Shqipërisë, deti është spektakolar dhe besoj se ofron shumë gjera të cilat ende kam për ti provuar, para se të kthehem në Tiranë".

Në rrafshin ndërkombëtar, rëndësia e qytetit antik u njoh dhe u konfirmua si e tillë në vitin 1992, kur ai u përfshi në Listën e pasurive Botërore të UNESCO-s.

Parkun arkeologjik të Butrintit mund ta vizitoni çdo ditë me një biletë hyrëse prej 700 lekësh.

Ky grup turistësh çekë thonë se kanë ardhur për të eksploruar të gjitha dimensionet e turizmit shqiptar dhe nuk mund të humbisnin një vizitë në Butrint, edhe pse alpet janë të preferuarat e tyre

"Jemi nga Çekia. Kemi ardhur per të vizituar bregdetin, malet dhe sitet me te famshme te vendit tuaj. Erdhem ne Brutrint sepse eshte ne listen e UNESCO-s dhe kemi degjuar e lexuar për të.E nisëm vizitën nga Tirana, qëndruam në Shkodër, vizituam Alpet, Gjirokastrën, Sarandë, Burtrintin dhe Beratin. E vlerësojmë mirëmbajtjen që i është bërë këtij siti të mrekullueshëm".

"Mua më shumë më pëlqyen malet por edhe bredeti është i bukur. Gjithashtu më pëlqeu edhe ushqimi shqiptar. Shqiptarët janë miqësor dhe të hapur në komunikim".

Kalaja e Lëkursit, Manastiri i 40 Shenjtorëve dhe Sinagoga, tërheqin vizitorë

Emri i Sarandës lidhet me Manastirin e 40 Shenjtorëve që ndodhet në majën e kodrës që i rri përballë Lëkurësit, dy prej destinacioneve të turistëve të huaj apo shqiptarë në gjurmët e historisë dhe trashëgimisë kulturore.

Pamja që të ofrohet nga pika ku është i ndërtuar ky objekt është magjepsës, por ta vizitosh është thuajse mision i pamundur

Rruga që të çon aty është premtuar shpesh herë, por edhe këtë vit pushuesit do të duhet të shpenzojnë energji për të parë Manastirin dhe për të shijuar këtë pamje të Sarandës

Në anën tjetër Kalaja e Lëkursit, ka një pozicion të veçantë strategjik nga ku mund të shikoni gjithë qytetin e Sarandës dhe rrugën që shkon në Butrintit, gjithashtu mund të shijoni dhe një panoramë të ishujve të Ksamilit.

Aty në majën mbizotëruese të Sarandës, gjetëm grupin e radhës së turistëve të huaj.

Janë nga Kalabria dhe thonë se kanë ardhur në Shqipëri për të parë me sy atë që kanë dëgjuar apo lexuar për vendin përballë.

"Shqipëria në pikëpamjen e parë është shumë e bukur, më tej duhet ta zbuloj. Bie në sy se bukuritë natyrore janë të mëdha, njerëzit janë të këndshëm. Ne nuk jemi këtu për plazhet, por për historinë dhe trashëgiminë kulturore".

Turizmi është vendosur mes prioriteteve të zhvillimit të Shqipërisë dhe sektori vit pas viti shënon përmirësime të ndjeshme dhe shifra në rritje të pushuesve. Italianët, që e kanë sektorin shumë më të zhvilluar se ne, thonë se Shqipëria ka ende shumë punë për të bërë.

"Jemi në një udhëtim mes miqsh për të zbuluar çfarë ofron Saranda dhe Shqipëria, pasi kemi dëgjuar shumë në Itali që flitet shumë për Shqipërinë, dhe ish-vendet e Jugosllavisë. Ndaj erdhëm për të parë çfarë ka kjo tokë e cila akoma duhet të përmirësohet për tu ofruar akoma. Urojmë që në të ardhmen numri i turistëve do të rritet. Potencialet janë të mëdha por keni ende shumë për të bërë për ta ngritur nivelin e turizmit".

Mijëra turistë shqiptarë e të huaj vizitojnë çdo vit bregdetin e Sarandës

Sinagoga e Sarandës është një ndër më të rrallat në Ballkan e Mesdhe. Monumenti i përket historisë së hershme të hebrenjve të diasporës, gjatë shekujve V-VI pas Krishtit.

Vendosja në qendër të qytetit të lashtë dhe atij modern, pranë portës lindore të kështjellës, përmasat e tij dhe dyshemetë me mozaik, dëshmojnë rolin e rëndësishëm të luajtur nga ky komunitet në jetën e Portit të Sarandës dhe në marrëdhëniet midis qendrave portë të Mesdheut antik.

Vlerat arkeologjike te Onhezmit (Saranda e sotme) shtrihen ne nje zone shume me te gjere sesa Bazilika, nga porti deri ne zonen e varrezave te sotme te deshmoreve, deri ne Manastirin e 40 Shenjtoreve.

Të gjitha këto cilësi përkthehen në turistë.

Por Saranda nuk njihet vetëm për arkeologjinë por edhe për kulturën. Qyteti ofron edhe ekspozita të ndryshme në Galerinë e Artit Art Saranda e cila menaxhohet nga Bashkia.

Drejtori Lefter Çeko tregon se për galeria ka një interes të veçantë.

Saranda prej vitesh renditet mes 10 destinacioneve kryesore që turistët duhet të vizitojnë në Mesdhe.

I përkufizuar si “Qyteti i bardhë”, ai është i rrethuar nga kodra dhe përballë tij ndodhet ishulli grek i Korfuzit.

E hijeshuar nga kurorat e ullinjve dhe tarracat e agrumeve, mishërohen e bardha e sterës, bluja e Jonit dhe e gjelbërta e vegjetacionit.

Duke shkuar drejt saj gjen Butrintin e Eneas dhe Virgjilit, Ksamilin e ishujve të rrallë, të vetmin ‘’Sy të Kaltër’’, Finiqin e epirotëve, Polifoninë e jugut, Midhjen mbretëreshë të liqenit, por mbi të gjitha Jonin, detin që na josh të gjithëve.

Për të pushuar mund të gjeni shumë plazhe me rërë dhe guralecë, tipike për të gjithë vijën bregdetare.

Baret afër plazhit do të jenë ideale për një pije të ftohtë dhe pak strehë gjatë orëve më të nxehta.

Edhe Skocezët: Saranda një ndër plazhet e fshehura ku mund të arratiseni këtë verë Arbëri Skocezët: Saranda një ndër plazhet e fshehura ku mund të arratiseni këtë verë

Dreka me peshk të freskët dhe sallatë sezonale në një nga restorantet e shumta pranë plazhit është thuajse e parezistueshme dhe në mbrëmje, pas darkës në një restorant në qendër do të bëheni pjesë e argëtimit mes koktejeve në buzë detit, muzikës dhe klubeve të natës.

Për këto e shumë arsye të tjera, vit pas viti mijëra turistë të huaj, krahas shqiptarëve zbresin aty buzë Jonit për të pushuar, punuar apo jetuar.