Përderisa ish-kongresisti amerikan, Joseph DioGuardi, theksoi se raportet mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës s’kanë qenë asnjëherë më të mira, njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se trazirat në veri dhe çështja e Asociacionit kanë lënë pasoja. Ata kërkuan që qeveria të ndërmarrë veprime serioze në forcimin e marrëdhënieve me aleatin kryesor strategjik.
Veprimet në veri dhe mosthemelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, sipas njohësve të marrëdhënieve ndërkombëtare, kanë lënë pasoja në raportet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara.
Profesori Dorajet Imeri tha se është e nevojshme që qeveria të ndërmarrë veprime serioze në forcimin e raporteve me partnerin kryesor strategjik të Kosovës.
“Unë konsideroj që Qeveria duhet të shohë secilin hap që të marrë veprimet strategjike, që të elaborojë si duhet pozicionin e Kosovës në këto raporte, por gjithashtu duhet që Kosova përmes Marrëveshjes së Ohrit që ka marrë disa obligime ndërkombëtare, t’i zbatojë, pasi shmangia apo përvijimi nga zbatimi i tyre natyrisht se do të ketë pasoja politike për vendin”, tha Imeri, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare.
Përkundër se qeveria në Prishtinë me atë në Uashington nuk janë duke gjetur gjuhë të përbashkët rreth çështjes së Asociacionit, ish-kongresisti amerikan, Joseph DioGuardi, theksoi se raportet mes dy vendeve nuk kanë qenë asnjëherë më të mira.
E njohësi i marrëdhënieve Kosovë-SHBA, Faton Bislimi, tha se për Prishtinën zyrtare është me interes që ta ruajë partneritetin e saj me Uashingtonin.
“Për në nuk ka rrugë tjetër pos rrugës së integrimeve euro-atlantike ku përsëri partneri jonë kryesore janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në ndërkohë ne kemi parë situata të cilat lënë për të dëshiruar, por kjo duhet të merret në kontekstin e historisë së marrëdhënieve tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe besoj që është obligim i secilit prej neve që këtë marrëdhënie ta qojë më përpara e ta forcojë sa më shumë, sepse nuk kemi partnerë që mund t’i zëvendësojnë ndonjëherë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh ish-deputeti Bislimi.
Raportet mes dy vendeve janë vlerësuar se kanë ecur në “teh të shpatës” që nga maji i këtij viti, kur Policia ndërhyri për ta mundësuar hyrjen e kryetarëve të rinj në objektet komunale në Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan. Pas këtij veprimi, Departamenti i Shtetit deklaroi se Qeveria ka marrë veprime kundër këshillave të Shteteve të Bashkuara, veprim që do të lërë pasoja në raportet mes të dyja vendeve.