Arbëri

Shprehen ankesa për pasojat e ngërçit politik në sektorin privat

Njohësit e çështjeve ekonomike kanë thënë se moskonstituimi i Kuvendit ka rrezikuar ekzekutimin e projekteve kapitale në vend. Ata kanë theksuar se kjo ka ndikuar tek sektori privat, që ekzekuton projektet

Moskonstituimi i Kuvendit mund të rrezikojë edhe ekzekutimin e projekteve kapitale, kanë vlerësuar të martën njohës të çështjeve ekonomike. Sipas tyre, përveç bllokimit të investimeve në infrastrukturë, kjo situatë ndikon edhe te sektori privat që i zbaton këto projekte.

Fidan Qerimi, njohës i çështjeve ekonomike, tha se në këtë vit pritet të ketë shfrytëzim më të ulët të buxhetit dhe realizimit të projekteve kapitale.

“Kjo ndikon normalisht edhe në punën e ndërmarrjeve private që janë duke i ekzekutuar këto pagesa dhe efekti zinxhiror i këtyre projekteve nuk ka me u ndje në ekonominë e vendit. Ky vit do të jetë më i ulëti, për nga shfrytëzimi dhe ekzekutimi i projekteve kapitale, e që fatkeqësisht qytetarët do të pësojnë duke mos marrë shërbime prej Qeverisë dhe të mirave që i sjellin projektet kapitale që do të duhej të implementohen”, ka thënë Qerimi.

E kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulëzim Rafuna, ka theksuar se mosfunksionimi i Kuvendit ka bllokuar miliona euro për investime kapitale. Sipas tij, kjo ka penguar reformat dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

“Kemi mbi 900 milionë euro janë mjete që kanë mbetur të bllokuara. Kur them që kanë mbetur të bllokuara, për shkak të marrëveshjeve që nuk mund të ratifikohen dhe të gjitha këto mjete kanë mbetur si rezultat i mosvotimit të marrëveshjeve të cilat do të shkonin në projekte kapitale, që do të ndikonin drejtpërdrejt në një ngritje me automatizëm, por edhe në ngritjen e mirëqenies sociale të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai. “Kanë mbetë shumë reforma mbrapa, plani i rritjes që ende nuk kemi arritur ta marrim para-financimin prej 62 milionë nga 800 milionëshi që është i planifikuar. Kështu që ndikimi dhe efekti i të mos pasurit Kuvend është shumë i madh te bizneset dhe te ekonomia e vendit”.

Përveç sektorit privat, pasojat e moskonstituimit të Kuvendit, Qerimi e Rafuna thonë se i bart edhe sektori publik.