Një vit më parë, kryeministri Albin Kurti pati premtuar se gjatë këtij viti do të bëhet aplikimi për programin e NATO-s, atë të Partneritetit për Paqe. Një vit pas, pos që ky veprim nuk është ndërmarrë, njohës të fushës vlerësojnë se nuk është bërë mjaftueshëm në këtë drejtim. Problem konsiderohen të jenë vendet që nuk njohin pavarësinë e Kosovës, e që janë anëtarë të aleancës veri-atlantike
I pakonkretizuar ka mbetur synimi i Kosovës për t’u bërë pjesë e Partneritetit për Paqe, program ky i aleancës veri-atlantike, NATO.
Aplikimin për këtë program, Kurti e ka paralajmëruar në dhjetor të vitit të kaluar kur e dorëzoi zyrtarisht kërkesën për anëtarësim në BE.
“Tash jemi në muajin dhjetor dhe natyrisht që nuk mund të kemi aplikime të reja sivjet, por vitin e ardhshëm do të përgatitemi të integrohemi sa më shumë në organizmat ndërkombëtarë e një synim të veçantë e kemi Partneritetin për Paqe”, kishte thënë Kurti në dhjetor të vitit 2022.
E ish-ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, vlerëson se nga udhëheqësit institucionalë nuk është bërë mjaftueshëm në lobim për t`u bërë pjesë e këtij partneriteti me NATO-n.
“Përderisa s`ka ndodhë asgjë nuk mendoj që është bërë mjaft. Ne duhet të jemi shumë këmbëngulës, në mënyrë të vazhdueshme, në çdo takim, në çdo rast ta bëjmë këtë kërkesë dhe të kërkojmë që të jemi anëtar të NATO-s”, thotë Çeku.
Pavarësia e Kosovës nuk njihet nga katër shtete anëtare të NATO-s: Greqia, Rumania, Sllovakia e Spanja.
Çeku tha se Kosova ka vite që ka plotësuar kriteret për aplikim, por sipas tij, problem mbeten shtetet mosnjohëse, meqë në NATO vendoset me konsensus.
Në lidhje me veprimet që janë ndërmarrë, në mënyrë që Kosova të ketë të hapur derën për përkrahje edhe të vendeve mosnjohëse, KOHA nuk ka marrë përgjigje nga Qeveria e Kosovës e as nga Zyra e Presidentes.
Nga Ministria e Mbrojtjes kanë kërkuar që hollësitë të kërkohen te Ministria e Punëve të Jashtme, por as nga ky dikaster nuk kanë kthyer përgjigje.
E në Ministrinë e Mbrojtjes kanë renditur disa nga veprimet që kanë ndërmarrë.
“Megjithatë sa i përket Ministrisë së Mbrojtjes, si iniciuese e kësaj nisme për anëtarësim të Republikës së Kosovës në NATO, janë ndërmarrë të gjithë hapat të cilët hyjnë në kuadër të fushë veprimtarisë tonë si ministri. Në këtë aspekt është formuar grupi teknik profesional, i cili në bashkëpunim me zyrën ndërlidhëse të NATO-s, është duke punuar për standardizimin e doktrinave, ndërkohë që po investojmë në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe operacionale të FSK-së, përmes shkollimit të kuadrove të reja të ushtarakëve në QSU, por dhe në akademitë më prestigjioze në botë, si dhe përmes modernizimit të pajisjeve ushtarake, investimit në armatime të prokuruara sipas standardeve të NATO-s, që vetëm gjatë vitit 2023 tejkalon mbi 200% shumën e investuar në këtë drejtim në raport me qeverisjet e kaluara, ndërsa me buxhetin prej mbi 200 milionë euro të ndarë për ushtrinë gjatë vitit 2023, kemi kaluar 2% e BPV, kriter ky për shtetet anëtare të NATO-s”, ka thënë zëdhwnwsja në Ministrinë e Mbrojtjes, Liridona Gashi.
Partneriteti për Paqe është program i bashkëpunimit dypalësh ndërmjet shteteve partnere euroatlantike dhe NATO-s, i krijuar më 1994 dhe që në shumë raste i paraprin anëtarësimit në organizatë.