Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

​Një vit nga rrëzimi i Qeverisë Kurti I

Foto: Alban Bujari / Koha

Sot është rrumbullakuar një vit nga rrëzimi i Qeverisë Kurti I, pasi Kuvendi i Kosovës, me kërkesë të 44 deputetëve, me 82 vota për, 32 kundër dhe një abstenim, mbështeti mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë, të propozuar nga Grupi Parlamentar i LDK-së.

Partia e Albin Kurtit, Lëvizja Vetëvendosje, doli fituese e zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit 2019 dhe ajo arriti të bëjë koalicion qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës, e drejtuar nga Isa Mustafa në atë kohë.

Qeveria e re që nga fillimi pati probleme në funksionimin e mirëfilltë për shkak të fërkimeve ndërmjet partnerëve të koalicionit qeverisës, e cila arriti kulmin, pasi ministri i Punëve të Brendshme Agim Veliu nga radhët e LDK-së, tha se numri i të prekurve me koronavirus po rritet nga sekonda në sekondë. Kjo zgjoi reagimin e menjëhershëm të kryeministrit Albin Kurti duke shkarkuar ministrin nga radhët e partnerit qeverisës, gjë që nxiti pakënaqësi të shumta në radhët e partisë së Mustafës, e cila më vonë inicioi mocionin e mosbesimit që rezultoi me rënien e Kurtit pas vetëm 52 ditë punë.

Pas rënies së Qeverisë Kurti, u votua qeveria e re në krye Avdullah Hotin nga radhët e LDK-së, e cila gjithashtu nuk pati jetë të gjatë, pas aktgjykimit të Kushtetueses se zgjedhja e saj ishte bërë në mënyrë jolegjitime dhe kështu vendi shkoi sërish në zgjedhje të reja.

Pas një viti prej rrëzimit të Qeverisë Kurti I, në pushtet është Qeveria Kurti II. Vetëvendosje fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare që u mbajtën më 14 shkurt të këtij viti. Fitoi 50.28 për qind, përkthyer në mandate – 58. Me votat edhe të disa deputetëve të komuniteteve joshumicë, Qeveria Kurti II u votua më 22 mars.

Artikuj të ngjashëm