Arbëri

Një shkollë në Gjilan nis rinovimet pas pushimit e grevës, nxënësit ankohen për zhurmë

Gjatë tre muajve sa nxënësit kanë qenë në pushim veror dhe një muaji sa u është mohuar atyre mësimi shkaku i grevës, nuk kanë nisur rinovimet në shkollën “Mulla Idriz Gjilani” në Velekincë të Gjilanit. Ato filluan një javë pasi nxënësit u kthyen në banka shkollore. Nxënësit ankohen për zhurmën që i shoqëron gjatë procesit mësimor, por drejtori i shkollës e relativizon këtë si problem.

Ka një javë që kanë filluar punimet për rinovimin e banjave në shkollën fillore “Mulla Idriz Gjilani” në fshatin Velekincë të Gjilanit.

Përderisa rinovimet shihen si të nevojshme, koha e fillimit të tyre vlerësohet e papërshtatshme.

Nxënësit ankohen se nuk po mund të koncentrohen në mësime, shkaku i zhurmës së madhe.

“Po, sidomos punimet që po bëhen po ka zhurmë, unë mendoj që këto punime ishte dashur të zhvilloheshin gjatë pushimit që e kemi pasur ose gjatë grevës që kanë mbajtur arsimtarët”, ka thënë nxënësja Leonita Shkodra.

“Ka zhurmë, dhe për shembull nëse kemi koncentrim gjatë zhurmës që e bëjnë neve na humb koncentrimi. Sipas mendimit tim, është dashur të punojnë gjatë grevës ose gjatë pushimit që e kemi pasur”, ka thënë Dones Shkodra.

Prindërit e nxënësve thonë se kjo situatë është e papranueshme, meqë pas humbjes së mësimit gjatë pandemisë e grevës, fëmijët e tyre po përballen edhe me pengesa të këtilla gjatë procesit mësimor.

“Kemi qenë javën e kaluar në mbledhje të prindërve që ka filluar në 3:30 deri në 4:30, më shumë nuk i kemi dëgjuar bisedat që janë zhvilluar në klasë sesa që kemi mundur ta bëjmë një bisedë të lirë si prind që i bëjnë me mësuesen”, ka deklaruar Nora Jashari-Avdyli.

E, drejtori i shkollës, Fatmir Latifaj, u arsyetua se kërkesën për rinovimin e banjave e ka dërguar vitin e kaluar, ndërkaq tek javën e shkuar kanë nisur punimet. Megjithëkëtë, ai tha se zhurma e punimeve nuk po bën probleme të mëdha.

“Të vetëdijshëm që mund të na shkaktojnë pak telashe, por jo edhe aq, kryesisht telashe është sa i përket zhurmës që është kapluar gjatë thyerjes së pllakave”, ka thënë Latifaj.

Drejtori ka shprehur pritjen se rinovimi i tetë banjave të shkollës do të kryhet brenda muajit.

Ndërkaq në Komunën e Gjilanit nuk kanë dhënë informacione për këtë dhe as nuk kanë treguar arsyet për rinovimin që nuk është kryer gjatë pushimit veror të nxënësve.