Në kohën kur temperaturat kanë arritur deri në 30 gradë, një pjesë e banorëve në lagjen Sofalia në Prishtinë, po përballen me mungesë të ujit.
Tash e 2 muaj, ata vazhdimisht kanë ndërprerje të ujit, gjë që po u shkakton telashe të shumta, raporton KTV.
Banorët thonë që vazhdimisht janë ankuar në Ujësjellësin Regjional Prishtina, zyrtarët e të cilit, sipas banorëve, kanë premtuar se furnizimi me ujë do të përmirësohet.
Ata shprehen të mllefosur, duke thënë se paguajnë fatura të ujit, pa e shfrytëzuar atë.
Njëri nga banorët tentoi ta telefonojë edhe të premten ujësjellësin, por Zyra për konsumatorë nuk lajmërohet.
Në një përgjigje me shkrim, zëdhënësja e K.R.U. “Prishtina” ka thënë se shkaktarë të këtyre telasheve janë keqpërdorimet e ujit.
“Problemet me furnizim në pika të larta furnizuese, siç janë edhe banesat në fjalë, në Sofali, po ndodhin vetëm për një arsye, e që është fillimi i keqpërdorimit në pika të ulëta, si rritje e lartë e kërkesës për ujë. Nevojitet vetëdijesim më i lartë i qytetarëve për përdorim të drejtë të ujit, në mënyrë që uji i lëshuar nga ne të arrijë çdo kund, madje edhe në pika të larta të qytetit”, ka thënë Arjeta Mjeku nga K.R.U “Prishtina”.
Ndërkaq, Adonis Tahiri, drejtor i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, ka thënë personat që keqpërdorin ujin, do të gjobiten.