Ka kohë që në shtëpitë dhe zyrat e tyre kanë të vendosur rezervuar të ujit. Kjo pasi banorët e lagjes “Arbëria 3”, në Prishtinë me vite kanë probleme me ujin e pijshëm saktësisht me shtypjen e dobët të ujit.
Banorët e kësaj lagje të kryeqytetit kanë thënë se përveç problemit me ujin, atyre po iu kushton shtrenjtë edhe blerja e rezervuarëve.
“Ky është edhe rezervari të cilin e kemi blerë tani na është dashur ta hapim gropën vetë dhe ta blejmë rezervarin, i cili ka kushtuar 500 euro. E ky modifikimi pastaj dhe mbulimi me beton për të mbetur uji i pastër ka shkuar rreth 2 mijë euro dhe pompat të cilat duhet t’i blejmë tani kushtojnë rreth 1 mijë euro. Pra deri te sigurimi i ujit të pijes në zyre këtu na ka kushtuar deri në 5 mijë euro. I njëjti problem është edhe në shtëpinë time dhe nuk e kam vetëm unë këtë problem, është gjithkund në këtë lagje”, ka deklaruar banori Qëndrim Kryeziu. “Ose ka vetëm kati i parë ka ujë, katet tjera e kanë shtypjen shumë të dobët. Prej kur kanë filluar të ndërtohen banesat ka filluar problemi, nuk ka plan të zgjerimit të qytetit sepse ne e kemi pishinën e ujit ka ujë mjaftueshëm. Por gypat e ujit dhe ndërtimi i qytetit egër dhe pa planë qe 20 vjet na ka sjellë këtu”.
Kryeziu fajin për shtypjen e dobët të ujit ia ka lënë ndërtimit të banesave.
“Pasdite gjithmonë shtypja bije dhe duhet ne si në kohën e Ali Bungut, me rezervar të 1 mijë dhe 2 mijë litrave të furnizohemi. Me ujë kemi problem rregullisht. Ka dy vjet që e kemi problemin e njëjtë. Prej kur ka filluar ndërtimi i banesave ne në shtëpia kemi problem me shtypjen e ujit”, ka thënë tutje ai.
Edhe
Banorët e “Arbërisë” qe 8 vjet përballen me probleme të furnizimit me ujë
Edhe në ujësjellës kanë thënë se fajtore mund të jetë ndërtesat kolektive.
“Në lagjen ‘Arbëria 3’, kishim probleme të kamotshme dhe ne nuk e dinim se a është problem tek ne apo tek investitorët kur i kanë ndërtuar ato banesa. Çfarë gypash apo tubacionesh kanë vendosur dhe a janë të mjaftueshëm. Pra të gjitha këto me kohë do të shpalosen dhe koordinatori do ta bëjë këtë punë”, ka thënë zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku.
Ujësjellësi ka thënë se po punon në gjetjen e një zgjidhjeje për banorët. Këtë po e bën bashkë me komunën.
“Para disa ditësh krye shefi ekzekutiv dhe stafi tjetër ka marrë pjesë në një takim me nën kryetaren e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, me ç‘rast kanë biseduar edhe për zgjidhjen e problemit me ujin e pijshëm. Mirëpo edhe për lagjet e tjera sepse nuk është vetëm kjo lagje në kryeqytet që ka probleme me ujin e pijshëm apo edhe me mungesën e shtypjes së ujit. Ne në kompani e kemi zgjedhur një koordinator që do të merret enkas me të gjitha planet operative dhe investimet kapitale për komunën e Prishtinës”, ka thënë Mjeku.
E nënkryetarja Donjeta Sahatçiu, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se ka pranuar ankesa nga banorët e kësaj lagjeje dhe se komuna është duke e trajtuar këtë problem.
Edhe
Banorët e Bërnicës së Epërme paguajnë për ujin, e ujë nuk kanë
“Problemet e qytetarëve të Kryeqytetit me furnizim e shtypje uji po i trajtojmë një nga një me ekipet tona dhe ekipet në Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”. Kam pranuar ankesa për probleme të kamotshme që kërkojnë zgjidhje dhe informim të saktë mbi planet e investimeve tona. Me Krenarin, Afërditën e Habibin takuam ekipin e KRU Prishtina për t’u dakorduar për zgjidhjet afatshkurtra dhe afatgjata për banorët e lagjes Arbëria 3 (Rr. Ahmet Krasniqi, Rr. Vicianum, Rr. Bashkim Fehmiu) për të vazhduar me Bërnicë, Kalabri, Muharrem Fejza etj”, ka shkruar ajo.
Problemi me furnizimin me ujë të pijshëm është shumë i shprehur në pikat e larta të qytetit në veçanti gjatë stinës së verës.