Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Një nga mjekët e suspenduar kishte kritikuar ministrin muaj më parë

Isa Haxhiu, një nga tre mjekët e suspenduar të martën, pasi nuk u gjet në vendin e tij të punës, muaj më parë kishte kritikuar ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili.

Haxhiu, që është shef i repartit “B” të Klinikës së Urologjisë në SHSKUK, sipas një postimi të fundit në Facebook nga Ismaili, nuk u gjet në vendin e tij të punës gjatë inspektimit të hënën në orët e para.

Dy muaj më parë, Haxhiu përmes një letre publike, i ishte drejtuar ministrit duke e thënë se Ismaili nuk po e thoshte të vërtetën kur deklaronte se gjendja në klinikën e Urologjisë është përmirësuar pas ardhjes së tij në postin e ministrit.

Kjo ishte letra e tij e plotë, pa ndërhyrje:

“ Njerëzit e sakrifikojnë të tashmen për të ardhmen. Por jeta është e mundshme vetëm në të tashmen”, Thich Nhat Nah

Edhe Mjeku i suspenduar thotë se ministri Ismaili u hakmor ndaj tij Arbëri Mjeku i suspenduar thotë se ministri Ismaili u hakmor ndaj tij

I nderuar zoti Ministër i Shëndetësisë,z. Uran Ismajli

U bë gati një vit nga koha kur ju keni marrë nën administrim Ministrinë e Shëndetësisë dhe ndonëse premtimet tuaja kanë qenë dhe mbeten mjaft të admirueshme; lik-et nëpër Facebook dhe rrjetet virtuale nuk ju kursehen , sa herë që komunikoni me publikun virtual ( dhe për fat të keq ju në të shumtën e rasteve komunikoni vetëm kështu), arritjet reale në këtë dikaster jo vetëm që janë nën pritshmëritë , por ato ju demantojnë e ju nxjerrin bojën juve dhe virtualitetit tuaj.

Ju, zoti ministër, që nga ardhja juaj , në krye të këtij dikasteri, keni premtuar shumë gjëra: që nga përmbushja dhe zbatimi i sigurimeve shëndetësore e gjer te nivelizimi i pagave dhe rritja e tyre për profesionistët shëndetësor; që nga sigurimi i mbi 90 % i barërave esenciale e deri te margaritari i fundit, blerja e aparaturave në vlerë prej 50 milionë euro për spitalet dhe klinikat e ShSKUK-ës, por në vend të tyre sot më e gjatë se kurrë është lista e blerjes së barërave dhe materialit sanitar që u përshkruajmë pacientëve për të blerë, në mënyrë që të arrijnë të futen në operacion dhe dinjiteti e jeta e mjekëve dhe infermierëve, kurrë më shumë i nëpërkëmbur e më i rrezikuar !

Sot si asnjëherë tjetër, pacientët tanë janë të detyruar të blejnë edhe gjërat më elementare, që nga dorëzat e gazat; infuzionet e antibiotikët; analgjetikët e antiemetikët, por ata janë të detyruar të blejnë edhe mantila dhe kompresa për veshje të personelit e mbulim të tyre, në sallat e operacionit, gjë që nuk ka ndodhur as në luftë, sepse në spitalin e Mollopolcit, atje ku isha gjatë saj, të gjitha këto kishim arritur t ‘i siguronim dhe pacientët nuk blinin asgjë për trajtimin e tyre! Atje kurrë s ka ndodhur, edhe pese në kushte lufte, që pacienti të mos operohet , pra të bie nga programi operator, për shkak të mungesës së një ampule Fentanyl (që nuk kushton as 2 euro), ashtu siç ngjanë sot, më shumë se katër here, vetëm që nga filliviti e gjer më sot ! Sot , si asnjëherë tjetër mjeku dhe infermieret janë të nëpërkëmbur e të poshtëruar , sa nga pagat mizerabel të tyre ( 650 Euro një specialist dhe doktor shkence, me mbi 40 vjetë vjetë përvojë, në kohën kur pastruesi në Postë dhe KEK ,marrin më shumë se kaq!), por edhe të rrrezikuar , në përballje me mungesat e shumta që kanë shërbimet shëndetësore dhe “pakuptueshmëria” nga familjarët e tyre, duke i fyer , sulmuar e rrahur ( shiko raportet e fundit për dhunën ndaj mjekëve dhe infermierëve ), duke i bërë fajtorë për gjithçka, ata dhe vetëm ata, ndoshta edhe për shkak të paraqitjeve tuaja virtuale , se gjithçka lulëzon në shërbimet shëndetësore , ndonëse realiteti ju demanton katërciprisht !

Zoti ministër, duke ju dëgjuar nëpër mediat publike ( televizione e radio) dhe duke ju parë e lexuar nëpër mediat virtuale, gjëja e parë që më ka shkuar ndërmend ishte kjo: Ju ose realitetin e jetoni vërtetë, vetëm virtualisht ose dikush po ua shtrembëron atë aq shumë sa që vërtetë keni filluar të besoni, se ky është realiteti ! Por, realiteti nuk jetohet vetëm nga të dëgjuarit, atë , para së gjithash duhet parë dhe prekur, pra duhet ndjerë për së afërmi . Ju, asnjëherë nuk keni vizituar ndonjë klinikë, spital apo repart, pra nuk keni ardhur për të biseduar me ne, të cilët për çdo ditë përballemi me realitetin dhe jo virtualitetin tuaj , për t ua treguar listat të cilat për çdo ditë u japim pacientëve , për të blerë edhe gjërat më elementare; për të parë se në çfarë kushtesh punojmë e operojmë ( një kirurg gjerman , Italian , francez edhe nën kërcënimin me jetë s do kishit mundur ta detyronit të operonte , siç operojmë ne ( pa ajrosje të sallave , pa respektim të zones së gjelbër , sepse në sallat ku unë punoj , pacientët dhe civilët defilojnë në zonën e gjelbër, meqë shërbimi i ESWL, ai i cistoskopisë dhe salla e Endourologjisë kanë një hyrje!),për ta jetuar realitetin e mungesave të 10 apo 20 % të barërave dhe materialit sanitar dhe jo atë virtual tuajin, mbi 90 %!

Zoti ministër, “realiteti “ virtual i juaji , NUK është realiteti të cilin ndoshta mendoni se keni realizuar dhe po e realizoni , sepse e di se rreth vetës suaj keni një grumbull këshilltarësh të cilët jo vetëm që s kanë lidhje me shëndetësinë ( për shkak të kënaqjeve të interesave partiake), por për fat të keq edhe disa nga ata që kanë lidhje dhe përditë e jetojnë realitetin e vërtetë, duket ua fshehin, ua zbukurojnë , sepse shumë nga ta luajnë rolin e lakejve tuaj, por jo edhe bashkëpunëtorëve e miqve tuaj të vërtetë, ndaj edhe ua servirin në formë dhe dritë të shtrembër. Jo vetëm kaq , shoh edhe shumë mjekë, kolegë të mi të cilët e jetojmë këtë realitet, çdo paraqitjes suaj në fejsbuk, i shton një like dhe ju “përgëzon” e “ trimëron” për arritjet tuaja dhe prej këtu shoh se sa lajkatarë , të squllët e të padinjitetshëm jemi, sepse të gjithë e jetojmë këtë realitet por e fshehim e e shtrembërojmë, për t ua bërë qejfin juve dhe këshilltarëve tuaj dhe gjithë suitës që keni pas!

Megjithatë unë shpresoj se kjo letër e imja e hapur do ju bëjë të reflektoni, të zgjoheni nga ëndrra juaj virtuale dhe të filloni ta shihni e ta prekni vetë realitetin,pa u mashturuar edhe më, nga llajkat dhe lajkat e të gjithë atyre që u qëndrojnë afër, derisa të jeni në pushtet , por që nesër do ua kthejnë shpinën dhe do u thonë se ju ishit përgjegjës për gjithçka !

Edhe Urologu i ShSKUK-ut i shkruan ministrit të Shëndetësisë: “S’është ashtu si thoni...” Arbëri Urologu i ShSKUK-ut i shkruan ministrit të Shëndetësisë: “S’është ashtu si thoni...”

Ju keni premtuar dhe ndoshta edhe përpiqeni të realizoni projektet e mëdha për shëndetësinë, në të ardhmen, por unë ju ftoj që të ralizoni projektet e vogla dhe të prekshme sot, për pacientët dhe për ne , personelin shëndetësor , sepse kështu jeni duke sakrfikuar ”… të tashmen për të ardhmen . Por jeta është e mundshme vetëm në të tashmen”( Thich Niht Nah). Pra, unë preferoj ta jetojmë dhe ndryshojmë realitetin e tanishëm, sepse e ardhmja është e pasigurt, ndërsa e kaluara nuk kthehet më !

Miqësisht, Dr. Sci. Isa I. Haxhiu, shef i repartit “ B”, të Klinikës së Urologjisë në ShSKUK.