Arbëri

Një javë pas vendimit të Kushtetueses, Osmani kritikohet për mosveprim

Mosveprimi i presidentes Vjosa Osmani për një javë që kur Gjykata Kushtetuese e shpalli të papranueshme kërkesën e saj për emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve po kritikohet nga Partia Demokratike e Kosovës.

Nga Partia Demokratike e Kosovës kanë thënë se një vonesë e tillë është e papranueshme, ndërsa nga shoqëria civile kanë kërkuar që porsa që Presidenca të marrë vendimin e plotë të Kushtetueses të veprojë karshi tij.

Nga Zyra e Presidencës nuk kanë komentuar kritikat, ndërsa ditë më parë deklaruan se po presin vendimin e plotë të Kushtetueses.

Javën e shkuar, Kushtetuesja e shpalli të papranueshme kërkesën e Osmanit për interpretim lidhur me ndarjen e mandateve në KQZ. Sipas vendimit, kërkesa e presidentes është e papranueshme pasi emërimi i anëtarëve të KQZ-së rregullohet me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe jo me Kushtetutë. Presidentja Osmani kishte kërkuar të dijë nga Gjykata Kushtetuese nëse përfaqësimi në KQZ duhet të jetë në proporcion me fuqinë e subjekteve politike në Kuvend. Kështu, formula e re do ta bënte Vetëvendosjen me tre anëtarë, kurse PDK-në do ta linte me një anëtar. Në muajin maj presidentja Osmani ka emëruar tetë nga 10 anëtarët e KQZ-së. Atë kohë Presidenca kishte thënë se dy emërimet e fundit do të bëhen pas përgjigjes nga Kushtetuesja.

Sekretari në detyrë i PDK-së, Betim Gjoshi, ka thënë se moskompletimi i KQZ-së po ndikon edhe në përgatitjet për zgjedhjet lokale.

“Në këtë vendim që e ka marrë Gjykata Kushtetuese kemi paralajmëruar me kohë, ka qenë e panevojshme vonesa e presidentes në moskompletimin e KQZ-së. Ajo është dashur që 60 ditë pas përfundimit të zgjedhjeve ta kompletojë KQZ-në. Kërkojmë nga presidentja e vendit që ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe sa më parë të na e japë të drejtën tonë kushtetuese që kemi si PDK që të kemi anëtarin e dytë në KQZ, ashtu siç e thotë edhe Kushtetuta e Kosovës, Ligji për zgjedhje po edhe praktika e deri tanishme... Ne më kohë kemi kërkuar nga presidentja e vendit që ta luajë rolin e vet kushtetues, si njëri që përfaqëson unitetin qytetar, pra të jetë mbi partitë politike dhe tashmë e ka momentin që të tregojë që është e paanshme. Ne kemi pritur që qysh në fillim të kësaj jave do të na caktojë apo do të na emërojë anëtarin e dytë”, ka thënë ai.

Gjoshi ka thënë se nëse presidentja s’e emëron anëtarin e dytë të PDK-së në KQZ, kjo parti do të ankohet sërish në Kushtetuese.

Ndërkaq, sipas Eugen Cakollit nga Instituti Demokratik i Kosovës, çdo vonesë pas publikimit të vendimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese do të ndikonte negativisht në perforomancën e punës së KQZ-së dhe në përgatitjen e zgjedhjeve lokale.

“Posa vendimi të publikohet si i plotë dhe palëve t’u dorëzohet i njëjti, presidentja e vendit pa asnjë vonesë të vijojë me emërimin e anëtarëve që bazuar në Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme do të duhej që anëtari i dytë t’i takojë PDK-së, ndërsa nga radhët e komuniteteve t’i takojë subjektit politik Vakat, i cili ka numrin më të madh të votave në mesin e komuniteteve tjera. Çfarëdo vonese tjetër do të ndikojë negativisht në performancën e punës së KQZ-së për shkak se duke qenë një institucion kushtetues duhet t’u garantohet e drejta të gjitha subjekteve politike parlamentare që të jenë të përfaqësuara në këtë institucion mirëpo edhe marrë parasysh faktin që pjesa më e madhe e vendimeve që do të merren tani në kohë të zgjedhjeve nga KQZ-ja kërkojnë shumicë të kualifikuar prej 2/3. Është e domosdoshme që të kompletohet për të evituar çfarëdo situate ku cilado palë do të mund ta bojkotonte punën e KQZ-së duke pamundësuar edhe vendimmarrjen”, është shprehur ai.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë se përkundër që aktualisht nuk kanë probleme me kuorumi në mbledhjet e KQZ-së, përbërja e plotë do ta lehtësonte punën e këtij institucioni.

“Sa i përket përbërjes, momentalisht KQZ-ja ka në përbërje nëntë nga 11 anëtarët sa parasheh Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Çka është me rëndësi për momentin kuorumi dhe arritja e vendimmarrjes është e mundshme në këtë përbërje, por sigurisht se përbërja e plotë e KQZ-së, në këtë rast prej 11 anëtarëve natyrisht se do ta lehtësonte punën e KQZ-së”, ka deklaruar Elezi.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, më 12 maj të këtij viti ka emëruar tetë anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa për dy anëtarë i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese, e cila të premten e javës së kaluar e ka shpallur si të papranueshme kërkesën e saj.