Rushit Bekteshi nga fshati Lluzhan i Komunës së Podujevës është ankuar se në arën e tij të mbjellë me grurë ka një muaj që është duke rrjedhur uji nga gypat e Ujësjellësit “Prishtina”. Edhe pse thotë se ka më shumë se 3 javë që i ka njoftuar njësinë në Podujevë dhe qendrën në Prishtinë, deri më tash askush nuk ka intervenuar. Ai thotë se përveç humbjeve të ujit, atij po i rrezikohen të mbjellat me grurë
Podujevë/Prishtinë, 8 prill – Kur bota po vuan mungesën e grurit e të ujit, në arën e Rushit Bekteshit nga fshati Lluzhan i Podujevës ka një muaj që është duke rrjedhur uji, që dyshohet se del nga gypat e ujësjellësit. Përveç humbjeve të ujit për pije, këtij banori mund t’i shkatërrohet gjysmë hektari grurë. Ai thotë se ka më shumë se 3 javë që e ka njoftuar kompaninë rajonale të ujësjellësit “Prishtina”, njësinë në Podujevë dhe qendrën në Prishtinë, por deri më tash pa përgjigje, edhe pse vetë zyrtarët e Ujësjellësit bëjnë gjithnjë thirrje për kursim të ujit për pije.
“I ka gati qe një muaj ditë që po rrjedh uji kështu. Qe 3 javë ditë që e kam lajmëruar Podujevën (Ujësjellësin). Prej Podujeve kam shkuar në Prishtinë. Më kallxuan që e kie një tatim (borxh v.j.) me pagua urgjent, 560 euro. E kam pagua krejt këtë borxh. Prit, s’ka, thirr aty s’ka. Qysh me thanë një fjalë, kjo punë është vdekje. Mos me pas hiç firma, paret po t’i merr. Kur të vjen fundi i muajit mos me ua pagua, telashe. E që unë e kam lajmërua me kohë”, ka thënë Rushit Bekteshi. “A sot qe një muaj ditë gjithë ky ujë dëm, qyre gruri qysh më ka mbet. S’kam mujt me ia qit plehun se s’kam mujt me hy. Tash u ter se para 2-3 dite s’ke mujt as arës me hy. Dëm mos të flasim ma, sa uji është derdh këtu 5-6 shtëpi ishin ba idare me ta. E dëmi është po e sheh edhe vetë 40-50 ari grurë gati më ka shkua poshtë. Qysh u sarih (zverdhë v.j.), s’ngjallet ma se ia ka kalb rranjët”.
Rushit Bekteshi tregon se edhe në njësinë e Ujësjellësit në Podujevë, edhe në Prishtinë i kishin premtuar se do të dilnin për ta sanuar këtë dëm, por deri tash kjo nuk ka ndodhur.
Zyrtarët komunalë të Podujevës thonë se kjo është përgjegjësi e Ujësjellësit.
“Sa i përket kësaj çështjeje nuk është personi i vetëm i cili ankohet për shkak se iu ka dëmtuar prona gjatë punimeve në magjistralen Prishtinë-Podujevë dhe të gjitha këto kërkesa të cilat kanë ardhur në drejtim të Komunës, ne i kemi udhëzuar ata që t’i adresohen Ministrisë së Mjedisit dhe gjithashtu te kompania rajonale e ujësjellësit, të cilët e kanë përgjegjësinë të merren me çfarëdo dëmi që mund të shkaktojnë gypat e ujësjellësit në prona private”, ka thënë zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia.
Zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim, ka thënë se të shtunën do të intervenojnë në këtë rast.
“Nesër kemi vendosur që të intervenojmë në këtë rast. Arsyeja ka qenë mungesa e kapaciteteve makinerike për të gërmuar thellësinë ekzistuese të gypit. Por edhe rastet e shumta muajin e fundit kanë bërë që të mund të mbetet ndonjë rast aty-këtu, edhe pse 99% e rasteve kryhen në kohë. Sa i përket shpenzimit racional të ujit, ajo është domosdoshmëri”, ka thënë Arjeta Mjeku.
Rushit Bekteshi ka kërkuar edhe njëherë nga KRU “Prishtina” që ta sanojë defektin dhe të mos shkojë dëm as uji e as gruri i tij.
“Le të vijnë more le ta ndalin gjithë këta ujë, le të vjen dikush, sikur mos me pas shtet. Po thonë kemi shtet, po çfarë shteti?! Jo vëlla, pasha Zotin!”, është shprehur ai.