Rrjedhje të pandërprera ka tash e sa muaj nga një objekt në lagjen e “Muhaxherëve” në Prishtinë. Për shtëpinë e braktisur janë ankuar banorët e kësaj lagjeje, por problemi nuk është zgjidhur tash e katër muaj. E në KRU Prishtina kanë thënë se shkyçja nga rrjeti e kësaj shtëpie do të bëhet brenda pak ditësh
I vërshuar nga uji që rrjedh vazhdimisht është një objekt në lagjen e “Muhaxherëve” në kryeqytet.
Ekrem Hyseni, kalimtar i rregullt në këtë rrugë, shprehet i shqetësuar me rrjedhjen e pakontrollueshme të këtij uji, që është i pijshëm.
Ai beson se dhjetëra mijëra litra ujë harxhohet në këtë vend brenda 24-orësh.
“Në muajin dhjetor duke kaluar këndej pari, sepse kaloj çdo ditë e kam vërejtur që vazhdimisht nga ky objekt prapa nesh rrjedh ujë sigurisht 24 orë pa ndërprerë dhe duke qenë thjesht person që interesohet edhe për ujin edhe për ajrin edhe për qytetin e kam telefonuar disa herë, së paku dy herë në muaj që nga dhjetori i vitit të kaluar kam telefonuar në ujësjellës dhe i kam lutur të dërgojnë ndonjë ekip për intervenim, sepse është me të vërtetë një sasi shumë e madhe e ujit së paku me aq sa dëgjohet me vesh”, ka thënë ai.
Edhe pse kanë qenë disa herë te ky objekt, punonjësit e ujësjellësit s’kanë mundur të hyjnë në të.
Sipas KRU Prishtina, ata kanë mbërritur ta kontaktojnë pronarin që ndodhet në Serbi, porse pasi ai nuk ka ardhur për t’ua hapur derën, do ta shkyçin nga rrjeti.
Edhe
Lagjja “Kurtaj” në Barilevë po braktiset, shkak mungesa e ujit të pijshëm
“Ai (pronari) ka thënë që do të vijë dhe ta hapë objektin që neve të na mundësohet qasja për sanimin e rrjedhjes. Por, pas shumë përpjekjeve tona nuk ka ardhur. Nuk e kemi shkyçur deri më tash, në mënyrë që të mos e dëmtojmë palën dhe duke e pritur që po e hap objektin. Por ky rast tashmë është në listën e shkyçjeve nga rrjeti i ujësjellësit dhe pritet realizimi i shkyçjes këto ditë”, ka thënë zëdhënësja, Arjeta Mjeku.
Në bazë të një raporti të Bankës Botërore për ujin, Kosova është një nga vendet më të varfra për nga uji në rajon, me 1.600 metra kub për person për vit, apo 16 për qind e sasisë që e kanë në dispozicion shtetet fqinje.