Kanë nisur zyrtarisht hetimet parapenale për dyshimet për keqmenaxhim e humbje të madhe të parasë së shtetit, në emër të pacientëve të sëmurë rëndë e që kishin nevojë për trajtim jashtë institucioneve publik. Hetimi ka filluar pasi KOHA nisi me publikimin e serisë së hulumtimeve disamujore për keqpërdorimet në programin që funksionon në kuadër të Fondit të Sigurimit Shëndetësor.
“Sot kam kërkuar që në bazë të shkrimit tuaj të fillohet me procedurën e verifikimit dhe në rast të gjetjes së dëshmive edhe me fillimin e hetimeve”, ka thënë Besim Kelmendi, ushtrues detyre i kryeprokurorit të shtetit, në një përgjigje për KOHËN.
Të hënën, KOHA publikoi detajet paralajmëruese për hulumtimin që nxjerr në pah dyshimet për keqpërdorime që i kushtuan shtetit me miliona euro. Hulumtimi ngre dyshime për keqmenaxhim e humbje të madhe të parasë, në kurriz të pacientëve të sëmurë rëndë, e që s’gjejnë shërim në Kosovë.
Pjesa e dytë u publikua të martën. Dokumentet që i ka siguruar KOHA dhe dëshmitë e familjarëve të pacientëve, ngritin dyshime se si disa nga shërbimet jashtë institucioneve publike shëndetësore nuk kryhen ashtu si janë përshkruar në profaturë dhe nuk përputhen me koston financiare. Spitalet, për të kompensuar reduktimin e shërbimeve, dyshohet se rrisin artificialisht koston, siç është rasti i një 10-vjeçari, kur për kimioterapi – nga afro 40 mijë sa ishte në profaturë, kalkulohet mbi 120 mijë në faturën përfundimtare. Hulumtimi ka identifikuar edhe raste kur për të njëjtin shërbim pagesa është bërë edhe nga familja edhe nga Fondi për Sigurime Shëndetësore. LEXONI DETAJET.
Hulumtimi do të vazhdojë të mërkurën. Mund të lexoni se si rritet kostoja e shpenzimeve me “analizat shtesë laboratorike”. Pse faturohen transplantet në vend të autotransplanteve, dhe cili është dallimi në çmim? Pse u mohohet pacientëve dhe familjeve të tyre qasja në fatura?