Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar të gjithë votuesit e regjistruar nga jashtë Kosovës për zgjedhjet lokale në komunën e Dragashit se ka filluar periudha e përsëritjes së votimit për rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar.
Fletëvotimet duhet të pranohen më së largu nga KQZ-ja deri më 13 dhjetor 2021.
Të drejtën për të votuar përmes postës e kanë vetëm 1.090 votuesit jashtë Kosovës të komunës së Dragashit, të cilët janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës 10 korrik – 18 gusht 2021.
Sipas rezultateve preliminare të 17 nëntorit nga KQZ-ja, në Dragash udhëhiqte Shaban Shabani i PDK-së me 5.648 vota, 47 më shumë se kandidati i LDK-së, Bexhet Xheladini. Por pas numërimit të votave nga diaspora, Xheladini kishte marrë 244 vota, ndërsa Shabani vetëm 54, duke bërë që rezultati të përmbyset.
PZAP-ja më pas vendosi anulimin e votave nga diaspora në Dragash për shkak të dyshimit për manipulime, mirëpo Supremja vendosi të përsëriste procesin e votimit të rundit të dytë në këtë komunë.
Fletëvotimi, procedura dhe çështjet që duhet t’i kenë parasysh votuesit janë publikuar në ueb faqen e KQZ-së, në pjesën Shërbimet e KQZ-së – Votimit përmes postës, apo në linkun direkt: https://www.kqz-ks.org/sherbimet-per-votuesit/votimi-me-poste/
