Arbëri

Nis ndërtimi i shkollës “Fan S.Noli” në Kamenicë

Të hënën ka nisur ndërtimi i shkollës së mesme të ulët “Fan S. Noli” në komunën e Kamenicës. Kjo shkollë me 20 klasë, do të kushtojë 1 milionë e 700 mijë euro dhe pritet të përfundojë brenda tre vjetëve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se shkolla do të ofrojë kushte më të mira për mësim, si për nxënësit, ashtu edhe për mësimdhënësit, ka deklaruar kryeministri Albin Kurti.

Ai tha se nisja e punimeve u bë në 58-vjetorin e vdekjes së Nolit, e emërtimi i kësaj shkolle tha se lidhet me këtë domethënie.

“Është zotim për vazhdimin e angazhimit për rrugën e dijes dhe të arsimit. Projekti i kësaj shkolle të mesme të ulët në Kamenicë është ai i një shkolle moderne do të ketë sipërfaqe bruto prej 4 mijë e 500 metrave katror me 20 klasë, 5 kabinete, 1 bibliotekë dhe mensë moderne për ngrënie e hapësira adekuate sportive...Roli dhe potenciali i arsimit janë të pakontestueshëm dhe faktorë vendimtarë për zhvillimin e vendit, dhe kjo është arsyeja që ne kemi rritur buxhetin e arsimit për mbi 26% në dy vitet e fundit dhe e kemi bërë arsimin e lartë falas”, tha Kurti.

Ndërsa, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe e Inovacionit, Arbërie Nagavci, deklaroi se shkolla do të jetë e përshtatshme me nxënësit.

“Bashkë me Qeverinë e kemi trajtuar kërkesën dhe jam shumë e lumtur që në shkurt të këtij viti u lidh kontrata për ndërtimin e shkollës ‘Fan Noli’, i cili do të përfundojë diku për 36 muaj dhe projekti ka vlerën 1 milionë e 700 mijë euro duke ofruar kështu mundësi për nxënësit që të kenë kushte më të mira të mësimit, për stafin e mësimdhënësve, për gjithë menaxhmentin e shkollës që të punojnë në kushte më të përshtate për të ofruar më të mirën për fëmijët tanë” tha Nagavci, derisa theksoi se krahas përmirësimit të infrastrukturës fizike, po punohet edhe në infrastrukturën ligjore.

E këtë shkollë, kryetari i Kamenicës, Kadri Rrahimaj, e quajti ndër më modernet në Kosovë.

“Gjersa po nisim udhëtimin e ri të kësaj shkolle duhet të kujtojmë se kjo nuk ka të bëjë vetëm me vendosjen e tullave dhe betonit, por po vendosim themelin për gjeneratat e ardhshme të Kamenicës dhe gjithë Kosovës. një themel i cili jo vetëm që do tu ofroj atyre siguri dhe aftësi për të pasur sukses, por gjithashtu do të pajisë me besimin dhe guximin për të kapërcyer çdo sfidë me të cilën mund të ballafaqohen në të ardhmen...Kjo shkollë përfaqëson shpresën, ëndrrat dhe aspiratat e komunitetit tonë, është simbol i vendosmërisë sonë të palëkundur për ta bërë Kamenicën një vend më të mirë për veten dhe fëmijët tanë...Projekti përmban 20 klasa, 5 kabinete, fusha sportive të jashtme salla multifunksionale të brendshme, mensë e kuzhinë për ushqim, ashensor dhe gjitha elementet e një shkolle moderne“, u shpreh ai./ksp