Ka filluar dhënia e kifleve për nxënësit e klasave I-V të 37 shkollave të Komunës së Podujevës.
Sipas Zyrës për Informim të kësaj komune, ky projekt financohet nga niveli qendror, kurse komunat e bëjnë zbatimin e tij.
“Drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Avni Fetahu sot ka vizituar shkollat fillore ‘Shaban Shala’ dhe ‘Naim Frashëri’ për të parë ecurinë e procesit mësimor në këtë situatë epidemiologjike, ku dhe njëkohësisht pa nga afër realizimin e projektit për shpërndarjen e kifleve për nxënësit nga klasa e parë deri te klasa e pestë”, thuhet në këtë njoftim.
“Ky projekt ka filluar të implementohet nga mbështetja e nivelit qendror për komunat, e cila ka ndarë mjetet buxhetore, ndërsa komunat përkatësisht drejtoritë e arsimit e kanë për detyrë përcjelljen dhe zbatimin e këtij projekti. Komuna e Podujevës është prej komunave të para e cila ka filluar ta zbatojë këtë projekt”.
Sipas të njëjtit njoftim, nga ky projekt përfitojnë mbi 7 mijë nxënës të Podujevës.
“Gjatë vizitës te shkollat, drejtori Fetahu u shpreh i lumtur për arritjen e realizimit të këtij projekti dhe njoftoi se nga ky projekt do të përfitojnë 37 shkolla me mbi 7.000 nxënës. Ai i uroi nxënësit dhe iu dëshiroi suksese në mësimet e tyre”, përfundoi njoftimi.