Alarm ndërkombëtar është ngritur pasi kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, publikoi emrat e shefave të dy faqeve satirike me famë në Shqipëri, duke cenuar sigurinë e tyre.
“Mapping Media Freedom” është platformë ndërkombëtare që alarmon për kërcënimet ndaj gazetarëve dhe mediave në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian dhe shtetet kandidate. Të premten, kjo platformë ka alarmuar edhe për rastin e Veliajt.
“Shqipëri: Kryebashkiaku i Tiranës publikisht tregon emrat e individëve si adminë të dy blogjeve satirike, duke ngritur shqetësime të sigurisë”, thuhet në alarmin e “MAPMF”.
Veliaj më 29 mars tregoi emrat e individëve që ka thënë se janë administratorë të dy blogjeve satirike të njohura në Shqipëri. Sipas “MAPMF”, publikimi ka çuar në shqetësime për sigurinë e individëve.
“Përpjekja e paprecedentë që publikisht të identifikohen pronarët e blogjeve anonime, erdhi teksa Veliaj po fliste në kryeqytet për rrugët e reja të transportit publik. Gjatë ngjarjes, Veliaj përmendi emrat e platformave satirike me famë: Lolita, që ka dhjetëra mijëra ndjekës në Shqipëri, dhe blogu tjetër JOQ (Jeta osh qef), tjetër faqe e famshme në Facebook që ua mundëson përdoruesve komentet”, thuhet në përshkrimin e rastit.
Dy faqet konsiderohen kritikuese ndaj Qeverisë dhe Veliajt. Gjatë kësaj ngjarjeje, Veliaj ka përmendur emrin dhe mbiemrin e një gruaje që ai thotë se qëndron prapa “Lolitas”, duke përmendur se ajo ka dy fëmijë.
Po ashtu ka përmendur emrin e një burri, që sipas Veliajt, është administrator i JOQ.
Pa asnjë dëshmi, Veliaj ka thënë se të dyja blogjet kanë shantazhuar kompanitë e autobusëve në Tiranë.
Ndaj blogjeve ka pasur shumë kërcënime, që kanë nxitur në shqetësimet për sigurinë fizike të individëve.
Po ashtu, më 31 mars, Veliaj sërish ka përmendur këta emra duke aluduar se “ata mund të përballen me arrestime”.
Për rastin ka reaguar edhe Qendra Evropiane për Liri të Mediave. Kjo organizatë ka thënë se është e shokuar nga sjellja e Veliajt. I ka kërkuar të kërkojë falje dhe të sigurojë që individët e akuzuar do të mbrohen.