Tiranë, 20 prill - Dy vite më parë, në pjesën jugore të Liqenit të Tiranës kishte vetëm baraka dhe plehra, çka ishte kthyer në një problem për banorët e zonës dhe ndotjen e liqenit.
Sot, komuniteti rom që jetonte aty është sistemuar nga Bashkia e Tiranës në banesa komode në Shkozë dhe Lanabregas, kurse hapësira i është rikthyer parkut me më shumë pemë, duke ia shtuar mushkërinë qytetit të Tiranës.
Për mbjelljen e 100 pemëve të reja në këtë zonë ndihmuan edhe kompania “Coca-Cola”, ekipi i futbollit “Partizani” dhe Pastiçeri “Reka”. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se me këtë ritëm, do të tejkalohet numri 122 mijë pemë i vënë si qëllim për t’u mbjellë deri në datën 22 Prill.
Ai falenderoi ekipin e futbollit të Partizanit që u bë pjesë e revolucionit të gjelbër, duke kontribuar për një mjedis më të pastër. “Kush është sportist i mirë, mbi të gjitha është edhe qytetar i mirë, ndaj ju falenderoj, së pari për qytetarinë dhe siç bëni gola në fushë, keni bërë ‘gola’ sot në fushën e qytetarisë. I falenderoj shumë çunat e ekipit që na dhanë një spektakël në këtë fushë”, tha kryebashkiaku.
Një tjetër partnere e Bashkisë së Tiranës në transformimin e kryeqytetit është edhe kompania “Coca-Cola”, e cila edhe kësaj here tregoi përgjegjësinë e saj sociale, duke dhuruar 60 pemë për Parkun e Liqenit. Pjesë e aksionit për mbjelljen e pemëve u bë edhe Pastiçeri “Reka”, e cila dhuroi 20 pemë.
Presidenti i “Coca-Cola Bottling, Shqipëria”, Luca Busi u shpreh i lumtur që u bë pjesë e aksionit dhe që kompania po kontribuon për t’i dhënë jetë qëndrueshmërisë mjedisore.
Drejtori sportiv i Futboll-Klub “Partizani”, Olsi Rama shprehu kënaqësinë që edhe kjo skuadër u bë pjesë e aksionit të gjelbërimit, ndërsa vlerësoi transformimin që ka pësuar Parku i Liqenit. ” Tirana po bëhet një qytet metropol, një qytet kozmopolit, që po i rrit vlerat edhe përmes punës së madhe të bashkisë”, tha Rama.