Qytetarët e Pejës të martën nuk kanë mundur të marrin asnjë shërbim në Gjykatën Themelore të Pejës.
Kjo, shkaku se zyra e shkrimores civile të kësaj Gjykate mesnatën e së hënës është kapluar nga zjarri, gjë që e ka penguar procesin e rregullt të punës.
Nga zjarri, është dëmtuar materiali i një pjese të lëndëve të shkrimores civile të kësaj gjykate, që kishin të bënin me shlyerjen e dënimeve të të burgosurve, raporton KTV.
Veç këtyre lëndëve, dëmtimet kanë pësuar edhe kompjuterët dhe printeri i Zyrës Qendrore për Menaxhimin e Lëndëve.
Drejtuesit e Gjykatës thonë se dyshimet e para janë se shkaktarë i zjarrit ishin telat e energjisë elektrike.
Por, kryetari i gjykatës thotë se me djegien e këtyre lëndëve nuk është se është bërë ndonjë dëm i madh pasi sipas tij, materiali i njëjtë është edhe në arkivin e Gjykatës.
Edhe
Digjet një pjesë e objektit të Gjykatës Themelore në Pejë, lëndët kanë shpëtuar
Kryetari Radoniqi përjashton çdo mundësi se zjarri është vënë qëllimshëm për të dëmtuar materialin në këtë zyrë.
Lidhur me rastin, prokuroria ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka angazhuar ekspertë të energjisë për ta konstatuar shkakun e këtij incidenti.
Kohavisioni merr vesh se në raportin e tyre fillestar, ekspertët kanë konstatuar se ora e energjisë elektrike ishte në rregull dhe nuk ka pasur ndonjë defekt që ka mundur të shkaktojë zjarrin.