Arbëri

Nga korrje-shirjet Peja këtë vit mori 1.3 tonë grurë më shumë se vitin e kaluar

Tokat e bukës në territorin e Pejës sivjet kanë dhënë rendiment më të lartë të grurit sesa vitet e kaluara.

Në rreth 1 mijë e 500 hektarë të mbjellë me drithëra, kryesisht me grurë, mesatarja e grumbulluar ka qenë rreth 5 tonë për hektarë, apo 1.3 tonë më shumë se vitin e kaluar.

“Kanë ndikuar edhe faktorët klimatikë, por në radhë të parë vetëdijesimi i fermerëve për përdorimin e farërave cilësore dhe varieteteve me potencial të lartë gjenetik, kanë bërë që të kemi rendiment pak më të lartë. Por edhe punët në terren, përkujdesja, masat agroteknike... kanë ndikuar që të kemi rendiment pak më të lartë”, ka thënë drejtori i Bujqësisë në Pejë, Mehdi Mulaj.

Sivjet pritet që të grumbullohen rreth 7 milionë kilogram grurë. Mirëpo, kjo sasi e grurit, siç thotë Mulaj, është e pamjaftueshme për të ushqyer mbi 90 mijë banorë të kësaj komune.

“Në asnjë rrethanë nuk i plotësojmë nevojat e konsumit me grurë. Duke pasur parasysh nevojat që janë për kokë banori, e që llogaritet diku 200 deri 210 kilogramë për kokë banori për një vit me sigurua ushqimin”, ka thënë ai.

Mirëpo, jo edhe e gjithë sasia e grurit destinohet për ushqim të popullatës. Ka mjaft fermerë që grurin e mbjellin kryesisht për nevojat e fermave që i kanë dhe njëri prej tyre është edhe Afrim Nikçi nga fshati Nakëll.

“I kemi diku rreth 10 hektarë grurë të mbjellë. Kryesisht, shumicën e grurit e lëmë për lopët tona, se e kam fermën. Një pjesë të vogël e lajmë për familje, Kryesisht tjetrit e lamë për fermë, se i kemi diku rreth 60 krerë lopë”, është shprehur ai.

Rreth 10 mijë hektarë tokë punuese ekzistojnë në gjithë territorin e Komunës së Pejës, por vetëm rreth 1 mijë e 500 hektarë mbillen me grurë.