Shkolla Fillore dhe e Mesme e Ulët (SHFMU) "Gjergj Fishta" në Bishtazhin në fillim të vitit shkollor të vitit 2011 kishte 426 nxënës, ndërsa në fillim të këtij viti shkollor, më 2021, ka 180 nxënës. Kështu ka pohuar për KOHËN drejtori i kësaj shkolle, Pal Quni. Më shumë se përgjysmë është zvogëluar numri i nxënësve për një dekadë.
"Po zbrazet fshati dhe me të po zbrazet edhe shkolla", ka përshkruar Quni.
Madje në shkollën e Bishtazhinit i ndjekin mësimet rreth 7 fshatra të vogla të rrethinës.
Vetëm në Bishtazhin i ndjekin mësimet 160 nxënës, ndërkaq me paralelen e ndarë të Marmullit bëhen 180.
"Pjesa më e madhe e popullatës po jeton në perëndim, pastaj nuk ka shtim të popullatës, nuk ka familje të mëdha si përpara", ka thënë tutje Quni.
Vetëm sivjet shkolla e Bishtazhinit ka filluar me minus 7 nxënës.
Gjon Radi, një qytetar që e kishte përcjellë një fëmijë për në shkollë të shtunën ka thënë për KOHËN se mungesa e perspektivës është arsyeja e zbrazjes së lokalitetit ku jeton dhe shkollës.
"S'ka këtu asgjë, veç mashtrim", ka thënë Radi.
"Kryefamiljarët po shkojnë në perëndim dhe me ta edhe fëmijët për bashkim familjar, pothuaj gjysma e shtëpive të fshatit janë të zbrazura, kështu që s'ka fëmijë për shkollë", ka theksuar ai.
Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit të Gjakovës, Gjevalin Nikollbibaj, përmes zyrtarëve të drejtorisë ka prezantuar shifrat e vitit të kaluar. Sipas këtyre të dhënave gjatë vitit të kaluar shkollor në Gjakovë shkollën e kanë braktisur 61 nxënës. Por sipas të njëjtave të dhëna shkollat kishin formuar grupe punuese dhe përmes tyre ia kishin dalë t'i kthejnë në shkollë 39 nxënës.
Ndër arsyet e braktisjes së shkollës sipas DKA-së, janë gjendja materiale, moskujdesi nga prindërit dhe faktorë të tjerë.