Kjo kërkesë erdhi pasi në kuadër të procesit të gjykimit që po zhvillohet në Hagë kundër ish-krerëve të UÇK-së, fjalën do ta ketë mbrojtja.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Data mbetet nesër, ora ka ndryshuar me kërkesë të nënkryetares Vlora Çitaku që për shkak të rrethanave në të cilat gjendemi, nesër, kur do të ketë mbrojtja fjalën e vet gjatë ditës. Në respekt për atë që po ndodhë në Hagë të gjitha subjektet politike kanë pranuar që seanca të mbahet në ora 17:00 dhe pastaj të vazhdohet me votimin e qeverisë”, ka thënë Basha në deklarimin për media pas mbledhjes së kryesisë së partive politike.
Sot ishte dita e dytë dhe e fundit e shpalosjes së deklaratave përmbyllëse nga Prokuroria në Hagë në rastin gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë.
Nesër, fjalën do ta ketë mbrojtja e Thaçit dhe të tjerëve.
Nesër seanca konstituive e Kuvendit
Presidentja Vjosa Osmani ka thirrur seancën konstituive të Kuvendit, për 11 shkurt në orën 12:00.
Presidenca ka njoftuar se vendimi për këtë datë është marrë pas konsultimit me shumicën e partive parlamentare dhe duke marrë parasysh urgjencën e krijimit të institucioneve, miratimin e buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.
“Pas konsultimit me shumicën e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend dhe duke pasur parasysh urgjencën e krijimit të institucioneve, miratimit të buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare, në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, Presidentja ka vendosur që seancën konstituive të Kuvendit ta ftojë për nesër, më 11 shkurt 2026, në orën 12:00”, thuhet në njoftim të Presidencës.
Caktimi i seancës u bë një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, Lëvizja Vetëvendosje fitoi më shumë se 51 për qind, apo 57 ulëse në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës mori 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 15, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 6. 20 ulëse janë të rezervuara për komunitetet.
Zgjedhjet e shkuara s’kishin prodhuar koalicion të shumicës. Institucionet nuk u formuan që nga 9 shkurti kur u mbajtën ato dhe Kosova u fut në krizë institucionale. Si pasojë e mungesës së institucioneve, Kuvendi ende s’e ka miratuar buxhetin 2026 e as marrëveshjet ndërkombëtare shumëmilionëshe.
Pos tyre, Kuvendi e ka obligim ta zgjedhë presidentin deri më 4 mars, një muaj para se Vjosa Osmanit t’i përfundojë mandati.
Sipas nenit 8 të Rregullores së Kuvendit, përgatitjet për seancën konstituive të legjislaturës janë përgjegjësi e kryetarit të legjislaturës së mëparshme, në këtë rast e Dimal Bashës. Ai tani duhet të thërrasë mbledhje të përbashkët me kryetarët e subjekteve që kanë fituar ulëse për të përgatitur propozimin e rendit të ditës dhe për caktimin e vendeve të deputetëve në sallë. Kuvendi ka njoftuar se kjo mbledhje është ftuar nga Basha për orën 17:00.
Punimet e seancës konstituive i drejton deputeti më i vjetër në moshë, i ndihmuar nga më i riu në moshë. Në seancën konstituive nuk ka debat.
Kuvendi ka mandat katërvjeçar, duke nisur nga dita e seancës konstituive.
Kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve. Tre nënkryetarë propozohet nga grupet më të mëdha, ndërsa dy të tjerë nga komunitetet (njëri nga serbët e njëri nga të tjerët). Gjykata Kushtetuese ditë më parë i dha të drejtë të pakufizuar Listës Serbe, si shumicë brenda komunitetit serb, që të propozojë kandidatin për nënkryetar Kuvendi edhe pas ezaurimit të të gjithë emrave të deputetëve të saj.