Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka konfirmuar se Kryesia e Kuvendit ka çuar te deputetët projektligjin për demarkacionin me Malin e Zi.
Ai ka thënë se kjo seancë do të mbahet me kërkesë të kryeministrit Ramush Haradinaj.
Në seancën e nesërme prej orës 11:00 do të shqyrtohet projektligji për demarkacionin me Malin e Zi, bashkë me deklaratën e fundit të arritur mes kryetarëve të shteteve, të cilën Konjufca e ka quajtur “bisht”.
Konjufca ka thënë se e vetmja e mirë që ka ndodhur në këtë mbledhje ka qenë se është konfirmuar se në seancë është dërguar edhe raporti i Komisionit Bulliqi.
17:13 - Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se ka konsensus të gjerë për procesin e demarkacionit dhe kjo, sipas tij, falë deklaratës së presidentit Hashim Thaçi dhe atij të Malit të Zi, Filip Vujanoviq.
Ai ka shtuar se PDK mbetet pro votimit për demarkacionin, ndërsa ka shprehur shqetësim për qëndrimin e LDK-së.
“Shqetësuese mbetet për mendimin tim, qëndrimi i LDK-së. Në komisionin për Punë të Jashtme ku do të duhej të votohej rekomandimi i projektligjit, përfaqësuesit e kësaj partie nuk kanë votuar fare dhe s’di se di duhet ta kuptojmë, por shpresojmë që pavarësisht pozicionit opozitar të votojnë për kalimin e kësaj çështjeje të rëndësishme për qytetarët”, ka thënë ai.
Sa i përket mungesës së Listës Serbe në Kryesi të Kuvendit dhe abstenimit që ky projektligj të shkojë në Kuvend, Krasniqi ka thënë se “sikur të ishte konsensusi i plotë shqiptar, nuk do të ishte me rëndësi vota e Listës Serbe”.
17:20 - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, është shprehur i bindur se marrëveshja për demarkacion do të kalojë.
Ai ka thënë se politika tani ka rastin që të bashkohet pa asnjë dallim.
“Nesër kemi një çështje me shumë rëndësi, për sovranitetin dhe lëvizjen e lirë të shumëpritur të qytetarëve tanë. Besoj se nesër secili deputet duhet ta ketë parasysh këtë çështje dhe të votojë mbi inatet e së shkuarës apo kalkulimeve politike. Shënimi i kufirit duhet të kalojë. Jam i sigurt se do të kalojë sepse besoj në përgjegjësinë e deputetëve që mbi secilin interes kanë interesin e qytetarëve”, ka thënë ai.
17:25 - Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi ka thënë se marrëveshja ndërmjet dy presidentëve, të Kosovës dhe Malit të Zi, mundëson korrigjimin e vijës kufitare e cila tregon se komisioni paraprak kishte gabuar.
Sipas tij komisioni për shënjimin e kufirit me Malin e Zi i udhëhequr nga Murat Meha kishte pasur disa gabime dhe marrëveshja ndërmjet presidentëve mundëson që ajo të korrigjohet, transmeton Koha.net.
Ai thotë se janë në komunikim me të gjithë deputetët, megjithatë thotë se votat do të shihen nesër.
“Siç e dini të dy presidentët kanë nënshkruar një marrëveshja e cila mundëson korrigjimin e vijës kufitare që tregon se komisioni paraprak ka gabuar. Votat normalisht që do të shihen nesër, sepse jemi në komunikimin me deputetët, dhe është marrëveshje që korrigjon gabimet e komisionit paraprak të udhëhequr nga Meha. Ligji gjithsej ka katër pika. Bëhet rishikimi dhe korrigjimi në pjesët kufitarë ku ka pasur devijime”, ka thënë Isufi.
Ai ka shtuar se marrëveshja ndërmjet presidentëve e obligon Kuvendin që ta votojë marrëveshjen.
“Ne këtë marrëveshje e votojmë sepse bëhet mundësia e rishikimit të marrëveshjes. Dihet se ligjet i nënshkruajnë në vend presidentët, prandaj marrëveshja e presidentëve e obligon Kuvendin që ta votojë”, është shprehur ai.
17:35 - Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti ka rikonfirmuar qëndrimin e partisë së tij se kjo marrëveshje do ta mbështesin marrëveshjen.
Ai ka shtuar se koalicioni qeveritar nuk është unik dhe nuk i ka 61 vota.
“LDK-ja, 27 deputetë, mbesin unikë pasi kjo marrëveshje është në të mirë të qytetarëve, na vjen keq që Qeveria nuk i ka 61 vota dhe nuk janë ende unikë për ta çuar përpara këtë marrëveshje. Më vjen mirë që disa prej partive në pushtet që atëherë kanë qenë në opozitë kanë reflektuar e janë mbushur mend. Nesër do të paraqitemi në Kuvend, dhe sigurisht se do të kërkojmë sqarime pasi është bërë lëmsh. Por, e kemi të qartë se Kuvendi do ta ratifikojë marrëveshjen e nënshkruar më 2015”, është shprehur Hoti.
Hoti ka thënë se marrëveshja ndërmjet presidentëve është bërë për të ruajtur fytyrën e kryeministrit.
“Edhe raporti i Bulliqit, edhe deklarata e presidentëve janë bërë dokumente për të ruajtur fytyrën e kryeministrit. Ajo që është e qartë është se ratifikohet marrëveshja e nënshkruar në vitin 2015”, ka deklaruar Hoti.