Zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicën Veriore, Skender Sadiku, ka thënë se është ndjerë shumë keq që dhanë dorëheqje kryetari i kësaj komune dhe asamblistët nga Lista Serbe.
Sadiku është një nga dy asamblistët që nuk kanë dhënë dorëheqje.
“U ndjeva i ndarë nga kolegët e mi me të cilët jam zgjedhur për të mbrojtur të drejtat e të gjithë qytetarëve, pa dallim kombi apo feje. Mitrovica është qytet multietnik dhe i vetmin në Kosovë në kuptimin e plotë të fjalës. Por, besoj se situata ngadalë do të fillojë të normalizohet”, ka thënë Sadiku raporton “Kossev”.
Ai ka thënë se qytetarët janë më të mençur se politikanët, ndërsa ka shtuar se shpreson që kjo të mos ndikojë në përditshmëri.
“Administrata duhet të punojë për të plotësuar nevojat e përditshme të qytetarëve, për të marrë dokumente. Nuk është e mirë që kjo të ndikojë në jetën e qytetarëve. Nuk besoj se do të ketë ndikim te qytetarët e thjeshtë”, tha Sadiku. “Qeveria e Kosovës dhe Qevberia e Serbisë të merren vesh si fqinj me fqinj”.