Nga sot edhe zyrtarisht Ipeshkvia e Kosovës, e cila deri më tani ka vepruar si administraturë apostolike, do jetë Ipeshkvi, e cila me vendim të Vatikanit do të mbaj emrin Ipeshkvia e Kosovës Prizren-Prishtinë.
Kështu u bë e ditur nga delegati apostolik për Kosovë, Juliusz Janusz, i cili mori pjesë në meshën solemne në Katedralen “Nëna Terezë”, në Prishtinë.
Delegati apostolik për Kosovën misionin e tij në vendin tonë e ka konsideruar si të bukur dhe shumë të suksesshëm.
Ai tutje Nënë Terezën e ka konsideruar si një grua e cila ka mposhtur kufijtë e urrejtjes dhe ka sjellë dritë dhe paqe për botën.
“Kjo gjë është e rëndësishme për Kosovën e sidomos për Kishën Katolike në Kosovë . Ipeshkvi juaj deri më sot ka pasur titullin e administratorit, sikurse edhe Ipeshkvia juaj e ka pasur titullin administraturës apostolike, qysh në fillim është thënë se kjo do të ndërrohet...Me autorizim të kardinalit Pjedro Karolin, sekretarit të shtetit jam tejet i lumtur që tua kumtoj që shenjta Papë e ka lartësuar administratorën apostolike të Prizrenit në Ipeshkvi, menjëherë të varur nga selia e shenjtë me emër Prizren-Prishtinë, si dhe ka emëruar shkëlqesinë tuaj Ipeshkv të Ipeshkvisë së re”, u shpreh ai, raporton KsP.
Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji gjatë kësaj meshe tha se dhurata më e mirë që Zoti na ka dhuruar është feja dhe Nënën Terezën e cila i ka shpërblyer të gjitha vuajtjeve.
Edhe
Ipeshkvi Gjergji uron Kurban Bajramin: Të ruhet bashkëjetesa dhe të ulen tensionet politike
Ipeshkvi Gjergji për vendimin e Vatikanit që edhe zyrtarisht Ipeshkvia e Kosovës të bëhet në kuptim të plotë të fjalës Ipeshkvi, tha se kjo tregon dashurinë dhe mirënjohjen që ka Vatikani për popullin, institucionet dhe gjithë shtetin e Kosovës.
“Dhuratat janë të shumta, dhurata më e madhe që Zoti na e ka dhënë është feja jonë dhe që kjo fe e ka ruajtur kombin tonë shqiptar me aq vuajtje dhe sakrificë e që na e ka dhënë Nënën Terezë, dhe me Nënë Terezën Zoti ka shpërblyer të gjitha vuajtjet tona, i ka shpërblyer lutjet e shenjta, e ka shpërblyer sakrificën e shenjtë sepse na ka dhënë një dritë të vetën sepse ai e thërriste Nënë Terezën, eja bëhu drita ime, dhe ajo dritë ka ardhur nëpërmjet kësaj katedraleje dhe nëpërmjet shenjtërimit të saj”, ka deklaruar Ipeshkvi.
Festa e Shën Terezës, organizuar nga Ipeshkvia e Kosovës ka nisur që nga 4 shtatori. Në mënyrë të veçantë po kujtohet 1-vjetori i shugurimit të Katedrales dhe 90-vjetorin e nisjes së Gonxhe Bojaxhiut – Shën Nënë Terezës për misione në Kalkuta të Indisë.