Nënat kanë rol të veçantë në edukimin e fëmijëve dhe në paranadalimin e ekstremizmit të dhunshëm. Bashkë me komunitetin, roli i nënave është jashtëzakonisht ndikues në promovimin e tolerancës dhe edukimit të gjithëmbarshëm tek të rinjtë.
Ky ishte një prej konstatimeve të dala sot nga Tryeza me gratë aktiviste të komunës së Kaçanikut, e organizuar nga Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë – SPRC në bashkëpunim me Forumin e OJQ-ve të Kaçanikut (FOJK) dhe Këshillin për Veprim Rinor Lokal (KVRL), njofton kumtesa, transmeton Koha.net.
Tahir Ahmeti, bashkëthemelues i SPRC-së, ndër të tjera theksoi fuqizimin e grave në vendimmarrje që së bashku ti luftojmë dukuritë negative që shpiejnë në ektremizëm të dhunshëm, andaj të gjithë së bashku duhet të angazhohemi që të kontribuojmë në të mirë të shoqërisë dhe të shtetit tonë.
Sipas Ahmetit, Kosova është një vend me tradita fetare, etnike, kulturore dhe këto padyshim se konsiderohen si ndër vlerat më të rëndësishme të Kosovës.
Përfaqësuesi i FOJK, Kjani Sallahu, tha se sipas statistikave, të rinjtë janë pjesa më e madhe e involvuar në këto fenomene, duhet të bëhet një investim i madh për parandalim por investim i vlefshëm që nuk lejon pasojat. Ne si RRJET po bëjmë të pamundurën për të ndikuar pozitivisht në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.
Faktorë tjerë negativ që u nxorrën nga ky takim ishin edhe gjendja ekonomike e dobët dhe jo-monitorimi i ekstremizmit online.
Këto debate duhet të shumëfishohen në mënyrë që gratë të informohen për shkaqet dhe pasojat e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit.
Aktivitetet e këtilla zbatohen nga SPRC dhe RRJETI i Organizatave Partnere, në kuadër të projektit “Promovimi i Angazhimit të shoqërisë civile kundër ekstremizmit të dhunshëm”, që mbështetet nga USAID/ATRC.