Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Në tryezën e LDK-së partitë merren vesh për tryeza të reja

15:58 - Blerim Kuçi i AAK-së, ka thënë se partitë sot janë marrë vesh që të vazhdohet me tryeza dhe që partitë të dalin para mediave të thonë se kanë dhënë qëndrimet e veta për temat e diskutuara.

“Ne do të vazhdojmë më tutje, besoj se tryezën e radhës do ta ketë PDK-ja. Institucionet tona vazhdojnë punën”, ka thënë Kuçi.

Bilall Sherifi i Nismës ka thënë “sot është diskutuar për gjithçka. Gjithkush i ka thënë tërë ato që mendon për mazhorancën, për opozitën, a i kemi apo nuk i kemi numrat. U morëm vesh që të respektojmë pikëpamjet e secilit”.


15:45 - Pas përfundimit të tryezës së organizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës, nënkryetari i kësaj partie, Agim Veliu, në konferencën për media ka thënë se partitë janë marrë vesh për mbajtjen e tryezave tjera, të cilat do të organizohen me rotacion.

“Secila e dha qëndrimin e vet për problemet aktuale dhe në fund u morëm vesh që tryezat të fillojnë me rotacion me subjektet që janë të interesuara për të organizuar tryeza të tilla. Ndoshta në javën e ardhshme do të jetë tryeza e radhës për të gjetur zgjidhje për çështjet që janë në interes të Kosovës”, ka thënë Veliu.

Të njëjtën gjë e ka thënë edhe shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, i cili edhe një herë shfaqi qëndrimin se PDK-ja nuk pajtohet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, para se të bëhet reforma zgjedhore.

“Me LDK-në trajtuam një gamë për disa çështje që pajtohemi se duhet një gjithpërfshirje me qëllim që të kalojmë më shpejt dhe më të lehtë, sidomos për themelimin e Ushtrisë, dialogun me Serbinë, themelimin e asociacionit të komunave serbe dhe reformën zgjedhore. Ne do të ftojmë shpejt një takim tjetër dhe besoj se do të jetë një format i ngjashëm”, ka thënë Krasniqi.

“Mendoj se ky mandat duhet të shkoj në fund. Nëse partitë kanë inter3es për të shkaur në zgjedhje, ne jemi të gatshëm sepse paritë serioze gjithmonë janë të gatshme. Ne mendojmë se nuk duhet të shkojmë në zgjedhje, mendojmë për një reformë zgjedhore”, ka thënë veç të tjerash ai.

Shefi i Grupit të Deputetëve të Pavarur, Dardan Sejdiu, në konferencën për media sqaroi se në tryezën e LDK-së partitë janë marrë vesh për dy gjëra: Për mbajtjen e tryezave të reja dhe për mbajtjen e tyre në rotacion.

“Sot u morëm vesh vetëm për dy gjëra: të kemi takime të tilla dhe këto takime të organizohen me rotacion nga secili subjekt. Ky është hap përpara sepse po ndodh një takim i të gjitha partive”, ka thënë Sejdiu.


Në tryezën e LDK-së nuk është përmendur data e zgjedhjeve

15:00 - Në tryezën e partive politike, të ftuar nga LDK-ja, nuk është përmendur fare data e zgjedhjeve, pavarësisht se ishte paralajmëruar se do të ishte temë e tryezës.

Burime nga ky takim kanë bërë të ditur për Koha.net se është diskutuar nevoja për reformë zgjedhore dhe nevoja për konsensus për dialogun me Serbinë. Edhe në këto dy tema nuk ka pasur asgjë konkrete, pos që të gjitha palët kanë dhënë qëndrimet e tyre.

Në tryezën e mbyllur për media morën pjesë Agim Veliu i LDK-së, Glauk Konjufca i VV-së, Memli Krasniqi i PDK-së, Dardan Sejdiu i GDP-së, Bilall Sherifi i Nismas, Blerim Kuçi i AAK-së, Ilir Deda i Alternativës, Agim Bahtiri i AKR-së, Valon Murati i LB-së dhe minoritetet.


Në tryezën e LDK-së merr pjesë edhe PDK-ja

13:11 - Edhe PDK-ja po merr pjesë në tryezën e ftuar nga LDK-ja. Aty i pranishëm është Memli Krasniqi, nënkryetar i PDK-së.

Dje të gjitha partitë, pos PDK-së, kishin konfirmuar pjesëmarrjen në tryezën e LDK-së ku pritet të diskutohet për situatën aktuale politike dhe për mundësinë e caktimit të datës së zgjedhjeve të parakohshme.

Takimi mbahet i mbyllur për media, ndërsa akterët pritet të flasin pastaj.

Të pranishëm në takim janë Agim Veliu i LDK-së, Glauk Konjufca i VV-së, Memli Krasniqi i PDK-së, Dardan Sejdiu i GDP-së, Bilall Sherifi i Nismas, Blerim Kuçi i AAK-së, Ilir Deda i Alternativës, Agim Bahtiri i AKR-së, Valon Murati i LB-së dhe minoritetet.


Tryeza e LDK-së e mbyllur për media

Diskutimet në tryezën e LDK-së nuk mund t’i dëgjojë askush nga publiku. Kjo sepse tryeza do të jetë e mbyllur për media.

Deputeti i LDK-së Armend Zemaj ka thënë për KosovaPress se mediat mund të marrin pamje në fillim të takimit e më pastaj secili nga pjesëmarrësit mund të japin deklarata pas tryezës.

LDK e ka ftuar këtë tryezë me qëllim që të diskutohet për situatën politike dhe mundësinë e caktimit të datës së zgjedhjeve të reja.

Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar të gjitha partitë politike përveç PDK-së dhe Grupi i Deputetëve të Pavarur.

Artikuj të ngjashëm