Kosova ka ngecur mbrapa me vaksinimin kundër koronavirusit edhe në krahasim me shtetet fqinje. Teksa në vend deri sot janë vaksinuar mbi 2500 punonjës shëndetësorë, të gjitha vendet tjera në rajon kanë nisur vaksinimin masiv.
Sipas të dhënave në “ourworldindata”, në rajon, Kosova është e fundit sa i përket këtij procesi. Të dhënat tregojnë se Serbia i prin rajonit për vaksinim, me 2.5 milionë qytetarë të vaksinuar, deri më 2 prill. Ky shtet tashmë është ndër më të suksesshmit në Evropë dhe botë sa i përket vaksinimit me vaksinat anti-COVID.
Shqipëria, që ka pranuar vaksina shumicën e vaksinave, sipas të dhënave, ka shkuar në 172 mijë të vaksinuar deri më 2 prill. Të hënën në mbrëmje, kryeministri Edi Rama deklaroi se janë kryer 200 mijë vaksinime, ndërsa Shqipëria ka pranuar edhe 22 mijë doza të vaksinës “Pfizer”. Ky shtet ka ofruar vaksinim edhe për mjekët dhe mësimdhënësit nga Kosova.
Mali i Zi është tjetër shtet në rajon që ka avancuar me hapa më të mëdhenj se Kosova në procesin e vaksinimit. Shteti me 622 mijë banorë ka vaksinuar 27 mijë qytetarë deri më 3 prill.
Deri më 3 prill, Maqedonia e Veriut pati vaksinuar 9 mijë qytetarë, ndërsa të hënën në këtë shtet ishte paraparë të niste vaksinimi masiv.
Prapa të gjitha këtyre vendeve ka mbetur Kosova. Në vend kanë ardhur vetëm 24 mijë doza të vaksinës së “AstraZenecas”, nëpërmjet programit “COVAX”. Shteti ka nisur me vaksinimin e punonjësve shëndetësorë, ndërsa në fundjavë pritet të nisë ai i të moshuarve mbi 80-vjeç.
Të hënën, Qeveria mori masa të reja drejt mbylljes së re të vendit, ndërsa kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, nuk dhanë detaje për mundësinë e prurjes së vaksinave të reja.
Ministri Vitia ka thënë po se procesi i vaksinimit të mësimdhënësve kosovarë në Shqipëri është shtyrë, pasi më atje s’ka vaksina të “AstraZenecas” dhe “Pfizerit”. Ai ka thënë se në Kosovë ndalohet me ligj që të importohen produkte që s’janë të regjistruara në Rregullatorin Evropian të Barnave, duke iu referuar vaksinës “Sinovax” që prodhohet në Kinë. Kjo ka qenë arsyeja e shtyrjes, sipas tij.
Vitia po ashtu ka thënë se janë duke pritur ardhjen e 75 mijë vaksinave të tjera nga programi “COVAX” dhe ndihmën e Komisionit Evropian, teksa ka shtuar se kanë marrë konfirmim nga disa kompani të tjera për sjelljen e vaksinave, por se pa u nënshkruar kontrata s’mund të bëhet e ditur.
Aktualisht në Kosovë janë 14 mijë e 284 raste aktive me COVID-19. Deri tash janë regjistruar 94 mijë e 167 raste pozitive, me 1926 prej tyre që kanë humbur betejën me virusin.