Qeveria e Shqipërisë ka ndryshuar legjislacionin për hekurudhën shqiptare. Ajo parasheh ndarjen në tri struktura mbikëqyrëse apo edhe të rregullimit të qarkullimit në to, të kësaj hekurudhe. Katër projektligje, pjesë e paketës ligjore për transportin hekurudhor në Shqipëri janë paraqitur dhe miratuar në komisionin parlamentar të Integrimit Evropian, duke hapur mundësinë e investimit për lidhjen hekurudhore të Shqipërisë me Bashkimin Evropian dhe me Kosovën.
Etjen Xhafaj, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjisë në Shqipëri, si dhe stafi teknik i MIE-së kanë qenë të pranishëm në mbledhjen e Komisionit parlamentar të Integrimit Evropian, të enjten. Aty u prezantuan risitë, qëllimet dhe objektivat e projektligjeve “Për krijimin e Autoritetit të Sigurisë Hekurudhore”, “Për krijimin e Autoritetit Rregullator Hekurudhor”, “Për ndarjen e shoqërisë ‘Hekurudha shqiptare’” dhe “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Autoritetit Kombëtar të Investigimit të aksidenteve dhe incidenteve hekurudhore dhe detare”.
Xhafaj ka sqaruar se projektligjet janë pjesë e një pakete ligjore në kuadër të reformës së derregulimit dhe projekteve të asistencës teknike të BE-së në lidhje me sektorin hekurudhor. Ka thënë se pakoja e ligjeve është hartuar në parimet e hapjes së tregut dhe sigurimin e zhvillimeve teknologjike për transport të sigurt. Zëvendësministri Xhafaj ka sqaruar më tej se krijimi i organeve rregullatore hekurudhore do të bëjë të mundur rritjen e iniciativave të subjekteve private të vendit dhe të atyre të huaja për të marrë pjesë me investime në këtë treg.
Me këtë ndërhyrje në legjislacion, Qeveria e Shqipërisë krijon mjedisin që sektori hekurudhor shqiptar të përfshihet në hartën e investimeve që do të bëjë BE-ja për korridoret hekurudhore, përfshirë edhe hekurudhën që do të lidhte Shqipërinë me Kosovën. Me mbështetjen financiare të BE-së është realizuar studimi i fizibilitetit i gjithë rrjetit hekurudhor shqiptar dhe lidhjet e reja me vendet kufitare të Maqedonisë së Veriut, Greqisë dhe një projekt studim-ide për lidhjen hekurudhore me Kosovën krahas lidhjes ekzistuese me Malin e Zi. Janë bërë edhe projektet e rikonstruksion/ndërtimit të shumë segmenteve të tjera si dhe shumë shpejt do të fillojë rikonstruksioni i linjës Durrës – Tiranë në lidhje me aeroportin ndërkombëtar të Tiranës.
Ndikimet e drejtpërdrejta pritet të jenë thelbësore edhe për biznesin, që synon të rrisë investimet, njëherësh edhe fitimet. Po ashtu, është shumë thelbësore për biznesin që t’i zgjidhë shpejt e me kosto të ulët transportet e volumeve të mëdha të mallrave të ndryshëm si brenda vendit ashtu edhe me vendet kufitare (për momentin realizohet vetëm me Malin e Zi). Nga ky organizim i ri i hekurudhës shqiptare pritet që vendet e punës të jenë të garantuara dhe shtim page nga të ardhurat që krijohen nga vetë ndërmarrjet.
Edhe
Projektet hekurudhore në Ballkan po vonohen, Linja 10 e Kosovës edhe më keq se kur nisi projekti
Ndërkohë që krahas uljes së kostos së udhëtimit rritet dhe siguria në udhëtim krahasimisht me transportin rrugor.
Në vitin 2018, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore në Shqipëri ishte 213 persona, dhe në vitin 2019, 227 persona, ndërsa nga transporti hekurudhor shifra ishte 3 për vitin 2018 dhe 1 për vitin 2019.
Rrjeti hekurudhor shqiptar është pjesë e rrjetit kryesor të Rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe ka marrë vëmendjen për vënien në efiçencë të plotë dhe më pas operimin e tij, sipas politikave të transportit të Qeverisë së Shqipërisë, në vijim të implementimit dhe zbatimit të kushteve legjislative dhe teknike evropiane.
Politika e qeverisë shqiptare në sektorin hekurudhor ka si prioritet reformimin e sektorit hekurudhor, për të krijuar një treg të hapur për publikun dhe investitorët privatë. Sfida kryesore mbetet hartimi dhe miratimi i legjislacionit hekurudhor zbatues, në vijim të Kodit të Ri Hekurudhor, i cili do të bëjë të mundur ngritjen e strukturave administrative hekurudhore siç kërkohet nga BE-ja. Në këtë mënyrë synohet të realizohet tipari kryesor i sektorit të ri hekurudhor shqiptar, që është, parimi i lirisë së ofrimit të shërbimeve hekurudhore duke marrë parasysh karakteristikat specifike të sektorit.
Komisionari i BE-së për Zgjerimin, Oliver Varhelyi dha me 10 qershor në Tiranë lajmin e mirë dhe të perseritur që bën fjalë për një marrëveshje të arritur në fillim të këtij muaji në Këshillin Evropian për 30 miliardë euro në formë investimesh në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në shtator të vitit kaluar, Várhelyi, është shprehur se brenda mandatit të komisionit aktual do të financohen projektet që do të lidhin të gjitha kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor me autostrada e hekurudhë.
Edhe
Pas vonesave disamujore, fillon faza e dytë në rehabilitimin e linjës të 10 hekurudhore
Instituti i Vjenës për studime ekonomike ndërkombëtare në korrik të vitit shkuar i ka rekomanduar Bashkimit Evropian ndërtimin e një rrjeti linjash hekurudhore të shpejtësisë së madhe dhe në të parashikohet edhe përfshirja e Shqipërisë dhe Kosovës. Ky institut, një organizatë e pavarur jofitimprurëse, ka bërë studime për tregjet dhe ekonominë e vendeve të BE-së dhe të kandidatëve për anëtarësim në Union. Instituti kërkon që Bashkimi Evropian të nisë të investojë në ndërtimin e një rrjeti hekurudhor të shpejtësisë së lartë nga 250 deri në 300 kilometra në orë që të lidhë metropolet si Berlini dhe Parisi edhe më vendet e Ballkanit, si Shqipëria apo Kosova. Linja që propozohet të prekë Shqipërinë do të nisë në Berlin, Çekia, Austria, Kroacia, Bosnja, Mal i Zi, Shqipëri, Kosovë, Bullgari, Serbi, Rumani, Hungari. Një degëzim i kësaj linje propozohet të shtrihet nga Sofja, në Maqedoni, pastaj nga Greqia deri në Qipro. Hekurudha duhet të lidhë qytetet me të zhvilluara të Evropës me vende e pazhvilluara të kontinentit të tilla si Shqipëria dhe vendet e tjera të rajonit. Ndërsa linjat e tjera të propozuara do të lidhin vendet e Baltikut me Spanjën. Nga kjo linjë do të ketë një tjetër që do të zgjatet në Itali dhe një në Britaninë e Madhe. Në pjesën shqiptare, hekurudha e shpejtë do të futet në Shqipëri në Shkodër nga Mali i Zi dhe më pas do të vijojë në Lezhë në krah të Rrugës së Kombit për të hyrë në Kosovë.
Në total, rrjeti i ri hekurudhor i shpejtësisë së lartë parashikohet të jetë 18,249 kilometër e gjatë. Shtrirja e kësaj linje në Ballkanin Perëndimor pritet të jetë 1564 kilometra e gjatë me kosto 49 miliardë eurosh. Në Shqipëri, rrjeti propozohet të ketë gjatësi 304 kilometra, me kosto 7 miliardë euro. Me 2 tetor të vitit kaluar, Qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës zhvilluan një mbledhje të përbashkët në Tiranë. Mbledhja e dy qeverive, u përmbyll me nënshkrimin e disa marrëveshjeve dhe protokolleve të bashkëpunimit dypalësh ku pikë e parë ka qenë: “Memorandumi i Bashkëpunimit Ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Infrastrukturës të Republikës së Kosovës mbi Bashkëpunimin në Fushën e Transportit Hekurudhor”.