Ilaçe tejet të shtrenjta për trajtim të kancerit po mungojnë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka mësuar KOHA.
Në QKUK mungojnë 70 për qind të barnave për kancer. Vetëm dy prej tyre kushtojnë rreth 3500 euro. Aktualisht në Klinikën e Onkologjisë po mungojnë edhe Trastuzumabi që kushton 1500 euro e Pertuzumabi me çmim rreth 2000 euro.
Furnizimi i QKUK-së me barna kundër kancerit ka rënë në nivel prej vetëm 30 për qind.
Siç kanë thënë burime të KOHËS nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, Qeveria është dashur ta bënte shpërndarjen e buxhetit për tremujorin e katërt qysh në shtator, por se kjo s’është bërë deri në fillim të nëntorit. Madje, sipas burimeve, kërkesa e SHSKUK-së për tremujorin e katërt ka qenë gjashtë milionë euro, e shteti ka ndarë vetëm 3.7 milionë euro për furnizim me barna esenciale.
Qeveria Hoti e pati ulur buxhetin për barna për rreth 50 për qind. Në rishikim, Qeveria Kurti pati shtuar buxhetin për 8 milionë euro dhe 3.7 milionë euro që janë transferuar para dy ditësh, por të pamjaftueshme për plotësimin e të gjitha nevojave.
KOHA ka dërguar pyetje të premten në Ministrinë e Shëndetësisë lidhur me çështjen e buxhetit për barna të Listës Esenciale, por përgjigja ka munguar nga institucionet.