Qendra për Arsim e Kosovës (KEC) dhe Organizata joqeveritare “Nevo Koncepti”, të premten, kanë shpërndarë tabletë për fëmijët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Prizren, të cilët vijojnë shkollimin në nivelin parafillor dhe në klasën e parë. Ofrimi i këtyre pajisjeve teknologjike sipas organizatorëve është bërë me qëllim të sigurimit të qasjes së nxënësve në mësimin në distancë, si dhe për të qenë në kontakt me aktivitetet e qendrave mësimore, gjatë periudhës së pandemisë.
Besnik Mazreku, që ka ardhur në zyrat e OJQ Nevo Koncepti për ta pranuar tabletin për nipin e tij, ka theksuar se nuk ka qenë në gjendje që ta sigurojë një pajisje të tillë, pasi që ka probleme shëndetësore. “Nipi im është në parashkollor. Nuk ka pasur tablet. Tani duke mësuar përdorimin e tij, mund edhe të mësojë. Por i kam edhe nipat tjerë që mund të mësojnë me këtë tablet”, ka thënë Mazreku.
Ndërsa Hana Zylfiu-Haziri nga KEC ka theksuar se në këtë formë mbështeten fëmijët që mos të humbin orë mësimore, të marrin njohuri të reja dhe të vazhdojnë aktivitete e tyre edukativo-arsimore.
“Kjo iniciativë është e përkrahur nga rrjeti KRAEEYN, i cili përkrah profesionistët dhe para profesionistët, të cilët punojnë më fëmijët me komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian dhe vepron në kuadër të KEC-it. Ky rrjet po shpërndan tabletë për fëmijët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, për moshën parafillore dhe klasën e parë. Sot po i shpërndajmë në Prizren... Qëllimi i shpërndarjes së tabletëve është që fëmijëve të vegjël t'ua mundësojmë që të jenë në kontakt me edukatorët e mësuesit e tyre, si dhe me tutorët e fasilitatorët që i përkrahin nëpër qendra mësimore, duke e ditë që pandemia po i kufizon lëvizjet, po i pamundëson kontaktet direkte të fëmijëve me shkollat e qendrat mësimore”, ka thënë ajo. Sipas saj shpërndarja e tabletëve është bërë edhe për nxënësit e komuniteteve në komunat e Gjakovës, Suharekës, Fushë Kosovës, derisa përfitues do të ketë edhe në Prishtinë e Obiliq.
“E dimë që nevojat janë shumë më të mëdha se kjo që kemi arritur ne të realizojmë. Në këtë valë jemi duke i shpërndarë diku 73 tabletë dhe deri në fund të muajit presim t’i shpërndajmë edhe 50 tjerë. Për këtë si cak kemi moshën më të re të fëmijëve, por me shpresë që të mund të sigurojmë në të ardhmen edhe mjete tjera për ti mbështetur ata”, ka deklaruar Zylfiu-Haziri.
Në anën tjetër drejtori ekzekutiv i OJQ “Nevo Koncepti”, Osman Osmani ka theksuar se falë këtij donacioni do të lehtësohet kyçja në arsim për fëmijët e rreth 14 familjeve të komuniteteve. “Fëmijët e këtyre familjeve do të kenë mundësi të zhvillojnë aktivitetin edukativo-arsimor, të ngrisin kapacitetet e përdorimit të pajisjeve teknologjike, por edhe të mësojnë teknika të reja. Shpresojmë se ky proces do të vazhdojë”, ka thënë ai, duke shtuar se ka zotime edhe nga MASH-i dhe organizatat tjera për shpërndarjen edhe të pajisjeve tjera.
Osmani ka theksuar se gjatë vitit 2020 për nxënësit e komuniteteve mësimi në distancë shkaku i pandemisë ka qenë tejet sfidues.
“Ne patëm marrë një informatë nga Drejtoria e Arsimit se diku 176 fëmijë nuk kanë pas qasje në mësimin në distancë dhe disa donacione që janë dhënë nëpërmjet Komunës dhe organizatave tjera, me siguri se ndikon në zbutjen e këtij problemi dhe lehtësimin e qasjes së fëmijëve në shkolla dhe në qendra mësimore”, ka përfunduar Osmani.