Prizren, 21 shtator – Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka vlerësuar lart angazhimin e shkollës “Loyola” për hapjen e qendrës së re sociale-edukative “Loyola Tranzit”, që kryesisht do t’u shërbejë fëmijëve dhe adoleshentëve të komuniteteve RAE. Sipas tij, në këtë mënyrë janë krijuar mundësi të reja për edukimin dhe socializimin e fëmijëve të këtyre komuniteteve që jetojnë në lagjen afër rrugës së transitit në Prizren.
“Kjo qendër është një storie e suksesit në vete, ku falë vullnetit të madh të atyre që u angazhuan në realizimin e këtij projektit, është krijuar një mundësi e re për nxënësit, e sidomos të atyre nga komuniteteve romë, ashkalinj dhe egjiptian që jetojnë në afërsi të kësaj lagjeje, për t'i zhvilluar aktivitetet e tyre shkollore dhe edukative”, është shprehur të enjten Haskuka, përmes rrjeteve sociale. Ai ka përgëzuar të gjithë ata që janë angazhuar në realizimin e këtij projekti.
Edhe Zyra e BE-së në Kosovë të enjten përmes rrjeteve sociale ka vlerësuar se qendra “Loyola Tranzit” me ndërtesën e re do të ofrojë mundësi loje dhe mësimi për fëmijët e kësaj lagjeje (më shumë, sot në “Kohën Ditore”).