Dhjetëra qytetarë janë mbledhur para Teatrit Kombëtar të Kosovës në shenjë përkujtimi për të riun Aulon Zeka, që u vra të shtunën në Prishtinë.
Për të po ndizen qirinj në hapësirën para TKK-së. Në mesin e të pranishmëve janë edhe familjarë e miq të Zekës.
“Lon sonte flenë në dhe, krevati yt është mbetur thatë. Ne ty të përcjellim te varri. Vllau jem, në lulet të rinisë ta morën jetën. Ëndrra jote ka qenë mu bo fotograf. Krejt Kosova është qu me të ndihmu. Por ti që ia more jetën, qysh ndihesh tash, a mendon qysh ndihet ajo nënë që e puthi për së vdekuri", tha vajza e tezes së të ndjerit Aulon Zeka, Vesa Kamberi.
Fotografitë nga aty i ka bërë aktivistja e shoqërisë civile, Vesë Kelmendi, që në profilin e saj, pos fotografive ka shkruar edhe një përshkrim të shkurtër.
“Aulon kah po i shoh familjarët, shokët e shoqet që po të vajtojnë po më dhemb shpirti që e le këtë botë”, ka shkruar ajo.
Zeka u vra me katër plumba, tash për tash në rrethana të paqarta. Dy persona të mitur, një djalë dhe një vajzë janë arrestuar dhe u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Të pranishëm ishin kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe kandidati për kryetar të Prishtinës nga radhët e AAK-së, Arbër Vllahiu.
{gallery}