Arbëri

Në Podujevë, aksion humanitar për ta ndihmuar popullin e Ukrainës

Komuna e Podujevës e ka filluar sot një aksion humanitar për t’i dalë në ndihmë popullit ukrainas. Aksioni ka përfshirë institucione të ndryshme publike, ndërsa gjërat që kërkohen janë veshmbathjet, batanijet e ushqimet e konservuara. Gjatë ditës së parë nuk janë grumbulluar shumë gjëra, por zyrtarët komunalë shpresojnë që qytetarët do t’i përgjigjen pozitivisht kësaj thirrjeje.

Veshmbathje e gjëra ushqimore kanë nisur të grumbullojnë podujevasit për popullin e Ukrainës.

Ky aksion u organizua nga Komuna e Podujevës, në shenjë solidariteti me popullin e pushtuar nga Rusia.

Zyrtarët komunalë thanë se edhe shqiptarët e Kosovës kanë kaluar gati në të njëjtën situatë dhe kanë luftuar kundër së njëjtës mendësi.

Si rikujtoi drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Pajtim Balaj, atëkohë bota i ishte përgjigjur pozitivisht Kosovës.

“Ndihma e komunës nuk është çfarë mund të japin shtetet e fuqishme, ne nuk mund të japim ndihma ushtarake, ndihmat tona janë më shumë civile. Ideja është që ta ndihmojmë popullsinë civile të Ukrainës me veshmbathje, batanije, ushqime të konservuara dhe gjëra që janë bazike për jetesën e tyre”, ka thënë ai.

Gjatë ditës së parë të aksionit nuk janë grumbulluar shumë gjëra, por drejtori Balaj shpreson që qytetarët do t’i përgjigjen pozitivisht thirrjes për ndihmë.

Në këtë aksion janë të përfshira edhe institucione të tjera publike, siç është edhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në këtë komunë.

“Si Qendër Kryesore e Mjekësisë Familjare në bashkëpunim me Këshillin e përgjithshëm të QKMF-së, sot kemi vendosur që t’i përgatisim disa pajisje sanitare, materiale të ndryshme me mundësitë që i kemi për popullin ukrainas”, është shprehur Ymer Llugaliu, drejtor i QKMF-së në Podujevë.

Përveç administratës komunale dhe QKMF-së si vendgrumbullim i gjërave, janë caktuar edhe Stacioni i Policisë në Podujevë, Kryqi i Kuq dhe shkollat e Podujevës. Në këto të fundit e enjtja është vendosur si ditë kur nxënësit do të mund të sjellin veshmbathje, lodra e vizatime që simbolizojnë paqen. Ky aksion përfundon ditën e premte.