Arbëri

Aksioni humanitar për Ukrainën fillon të martën në Podujevë

Nga dita e martë në Podujevë fillon aksioni humanitar për Ukrainën dhe i njëjti do të vazhdojë deri më 29 prill. Bazuar në kërkesën e ushtarëve ukrainas që gjenden në Kosovë, gjësendet e nevojshme janë ushqimet e konservuara, rrobat, materialet higjienike, etj.

“Pas mbledhjes së Shtabit Emergjent për Mbrojtje, Shpëtim dhe Menaxhim të krizave javën e kaluar është caktuar edhe afati kohor se kur do të zhvillohet aksioni humanitar për mbledhjen e ndihmave për Ukrainën, e cila ndodhet në luftë pas agresionit rus që po ndodhë atje. Aksioni humanitar do të fillojë nesër me datën 26.04 dhe do të zgjasë deri më 29.04”, thuhet në njoftimin e Zyrës për Marrëdhënie me Publikun dhe Informim të Komunës së Podujevës.

Sipas të njëjtit, me qëllim të zbatimit të suksesshëm të aksionit, pika të grumbullimit do të ketë në institucionet lokale si; Komunë, Stacionin Policor, QKMF, në shkolla, Kryq të Kuq, etj.

“Gjësendet e nevojshme bazuar në kërkesën e përfaqësuesit të ushtarëve ukrainas në Kosovë janë: ushqimet e konservuara, rrobat, batanijet, materialet higjienike etj. Ftojmë qytetarët e Komunës së Podujevës të bëhen pjesë e këtij aksioni humanitar!”, thuhet tutje në njoftim.